Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me kryeministrin pakistanez Shahbaz Sharif, transmeton Anadolu.
Erdoğan i ka shprehur ngushëllimet e tij kryeministrit për shtetasit e Pakistanit që humbën jetën në fatkeqësinë e anijes me emigrantë në ujërat e Greqisë, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke.
Duke theksuar se është thellësisht i pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike, presidenti Erdoğan ka thënë se ndan dhimbjen me popullin pakistanez.
Telefonata e ngushëllimit erdhi ditë pasi të paktën 81 njerëz vdiqën kur një anije peshkimi që transportonte azilkërkues dhe emigrantë u mbyt në brigjet jugore të Greqisë, që ishte një nga fatkeqësitë më vdekjeprurëse të këtij viti.
Shumë persona të tjerë u shpëtuan, por numri i viktimave pritet të rritet pasi të mbijetuarit kanë thënë se anija mbante më shumë se 600 emigrantë, kryesisht nga Pakistani, Egjipti dhe Siria.
Sipas mbikëqyrësve të të drejtave të njeriut, roja bregdetare greke mund të ketë injoruar sinjalet SOS të anijes, ndërsa disa të mbijetuar kanë akuzuar autoritetet greke si të përfshira drejtpërdrejt në këtë aksident.