RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti i FIFA-s heq dorë nga planet për të shitur aksionet në Kupën e Botës

presidenti-i-fifa-s-heq-dore-nga-planet-per-te-shitur-aksionet-ne-kupen-e-botes

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi se ka hequr dorë nga plani për të shitur një pjesë të aksioneve të një kompanie të re bijë që do të mbikëqyrte Kupën e Botës dhe garat e tjera, duke thënë se propozimi ka “krijuar përçarje” që nuk i shërbejnë më objektivit fillestar, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të publikuar në platformën amerikane X, Infantino tha se projekti FIFA Forward Enterprise synonte të krijonte një bazë për forcimin e mëtejshëm të shoqatave anëtare të FIFA-s dhe zhvillimin e futbollit në mbarë botën, veçanërisht në vendet ku nevojitet më shumë mbështetje.

“Pasi dëgjova me kujdes të gjitha pikëpamjet, u bë e qartë se projekti ka krijuar përçarje të tilla që, pavarësisht nivelit të mbështetjes, nuk janë më në interes të objektivit të vendosur fillimisht”, tha Infantino.

“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë – dhe do të mbetet gjithmonë – të bashkojmë dhe të përmirësojmë”, shtoi ai, duke bërë të ditur se “si rezultat, ky propozim nuk do të vazhdojë”.

Infantino tha se synon të mbledhë sërish palët e interesuara, duke theksuar se synimi i tij është “të vazhdojë zhvillimin e futbollit kudo, veçanërisht në ato vende që kanë më së shumti nevojë për mbështetjen tonë”.

Sipas raportimeve, plani i tërhequr parashikonte shitjen e më shumë se 20 për qind të aksioneve të kompanisë së re FIFA Forward Enterprise, me vlerë 20 miliardë dollarë, tek investitorë privatë.

Të martën, FIFA kishte njoftuar planet për krijimin e kësaj kompanie bijë me vlerë 20 miliardë dollarë për të menaxhuar Kupën e Botës dhe garat e tjera të saj, me deri në 20 për qind të aksioneve që do t’u ofroheshin investitorëve të jashtëm.

Infantino, 56 vjeç, krijoi marrëdhënie të ngushta me Donald Trump gjatë Kupës së Botës të këtij viti, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të forcuar lidhjet me presidentin amerikan, përfshirë dorëzimin e Çmimit të parë të Paqes të FIFA-s në muajin dhjetor.

Related posts

Ajri i ndotur po sëmur fëmijët dhe të rinjtë, ekspertët kërkojnë veprim urgjent

RTI

Studentët kosovarë të diplomuar në Türkiye u takuan në Prizren

Muhamet Ramadani

“Mund të përbëjë përshkallëzim dramatik”- SHBA: Irani i ka dërguar Rusisë raketa me rreze të shkurtër veprimi

admin