Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo gjatë një takimi i bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden të bëjë më shumë për të ndalur persekutimin në Gaza, transmeton Anadolu.
Biden dhe Widodo u takuan në kryeqytetin e SHBA-së, Washington ku dhanë deklarata për gazetarët para takimit dypalësh.
Në fjalimin e tij, Biden foli për rëndësinë që i kushtojnë marrëdhënieve mes dy vendeve dhe theksoi se marrëdhëniet dypalëshe do t’i ngrenë në nivelin e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës.
Widodo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Indonezia shpreson që partneriteti me SHBA-në të kontribuojë në paqen dhe prosperitetin rajonal dhe global. Për këtë arsye ftoj SHBA-në të bëjë më shumë për të ndalur persekutimin në Gaza. Armëpushimi është i domosdoshëm për njerëzimin”, tha ai.
– Indonezi-SHBA, marrëdhëniet në nivelin e “partneritetit strategjik”
Pas takimit dypalësh, Biden dhe Widodo publikuan një deklaratë të përbashkët me shkrim. Në deklaratë thuhet se marrëdhëniet Indonezi-SHBA janë ngritur në nivelin e “partneritetit strategjik gjithëpërfshirës”.
Në kuadër të këtij partneriteti bëhet e ditur se do të zhvillohet bashkëpunim dypalësh në fushat si inovacioni, zhvillimi i qëndrueshëm, shëndeti publik, transformimi dixhital dhe energjia e pastër dhe se do të thellohet bashkëpunimi i mbrojtjes midis dy vendeve.