Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, shpërndau parlamentin me këshillën e kryeministrit Shehbaz Sharif, transmeton Anadolu.
Siç njoftohet nga Zyra e Presidentit, Alvi nënshkroi këshillën gjysmë ore pasi ajo u dërgua nga kryeministri Sharif, duke i hapur rrugën një qeverie kalimtare që do të mbajë zgjedhje të përgjithshme.
Kabineti federal u shpërnda automatikisht pas nënshkrimit të presidentit.
Sharif kishte njoftuar më parë se qeveria e koalicionit do të bie, edhe atë tre ditë para përfundimit të mandatit pesëvjeçar të deputetëve.
Sharif do të vazhdojë të shërbejë si kryeministër në detyrë derisa kryeministri i qeverisë kalimtare të bëjë betimin.
Kryeministri dhe kreu i opozitës pritet të takohen nesër për të përzgjedhur emrin e kryeministrin e qeverisë kalimtare, i cili do të shërbejë deri në zgjedhjet që priten të mbahen më vonë gjatë këtij viti.
Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 90 ditëve nga shpërndarja, megjithatë, në rrethanat e dhëna, veçanërisht pas miratimit të rezultateve të reja të regjistrimit të shpallura muajin e kaluar, duket e pamundur të mbahen zgjedhjet brenda këtyre afateve.
Komisioni Zgjedhor i Pakistanit kërkoi të paktën katër muaj për caktimin e zgjedhjeve të reja në përputhje me rezultatet e fundit të regjistrimit, të cilat mund të shtyjnë datën e zgjedhjeve në vitin e ardhshëm.
Duke parë mundësinë për një vonesë evidente, Senati miratoi një rezolutë që i kërkon organit më të lartë elektoral të vendit të zhvillojë zgjedhje të përgjithshme brenda kohës së përcaktuar në Kushtetutë.
Rezoluta, e propozuar nga senatori Mushtaq Ahmad Khan i partisë Jamaat-e-Islami, u kërkon gjithashtu të gjitha institucioneve shtetërore të ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme organin elektoral në mbajtjen e zgjedhjeve.