Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe ai i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, diskutuan lidhjet dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve gjatë një takimi në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, transmeton Anadolu.
“Vendimet që kemi marrë për të forcuar bashkëpunimin tonë vërtetojnë se ekziston një nivel shumë i lartë miqësie dhe marrëdhëniesh vëllazërore midis vendeve tona”, tha Ilham Aliyev përpara takimit të tij kokë më kokë me liderin e Shqipërisë, Bajram Begaj, njoftoi në një deklaratë Presidenca e Azerbajxhanit.
Aliyev falënderoi gjithashtu Begajn për pjesëmarrjen e tij në Forumin treditor Global të Bakus, i cili përfundoi të shtunën, duke e cilësuar takimin e tyre si “një mundësi e madhe për të prekur pikat e rëndësishme të bashkëpunimit tonë të frytshëm dypalësh”.
Nga ana e tij, Begaj kujtoi takimin e tij me Aliyevin në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në nëntor 2022, dhe tha se duhet të punojnë për të nxitur bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe turizmit.
“Ne kemi gazsjellësin Trans-Adriatik dhe duhet të bëjmë më shumë për të gazifikuar gjithë vendin”, tha Begaj, duke shtuar: “Sidomos tani, në një kohë kur çështja e energjisë është shumë e rëndësishme. Gazi është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Jemi shumë të lumtur dhe me fat që keni bërë një angazhim të tillë dhe që kemi fituar miqësinë tuaj”.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se liderët vlerësuan bashkëpunimin dhe mbështetjen e ndërsjellë midis vendeve të tyre si pjesë e organizatave ndërkombëtare.
“Gjatë bisedës u shkëmbyen mendime për bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Themelimi i Ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri dhe i misionit diplomatik të Shqipërisë në Azerbajxhan u cilësua si një hap pozitiv në zhvillimin e lidhjeve dypalëshe”, thuhet në deklaratë.