RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Presidenti italian, Mattarella: Pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Unioni nuk do të jetë i plotë

presidenti-italian,-mattarella:-pa-anetaresimin-e-vendeve-te-ballkanit-perendimor-ne-be,-unioni-nuk-do-te-jete-i-plote

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella tha se e vlerësojnë durimin dhe përpjekjen që ka bërë Maqedonia e Veriut për të kapërcyer të gjitha vështirësitë dhe për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Mattarella, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u prit me një ceremoni solemne nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Pas takimit kokë më kokë dhe takimit plenar të delegacioneve, presidenti Pendarovski dhe presidenti Mattarella mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Presidenti italian Mattarella tha se Maqedonia e Veriut dhe Italia janë të lidhura me marrëdhënie të fortë dhe se ajo bazohet në besim. Ai theksoi se këto marrëdhënie vitet e fundit janë konfirmuar nga intensiteti i bisedimeve që zhvillohen në një nivel më të lartë.

Duke theksuar se me shumë kënaqësi e kanë përcjellë informacionin se më 29 korrik më në fund kanë filluar negociatat për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE, Mattarella nënvizoi se ky është një konfirmim i besimit dhe i përkushtimit që Maqedonia e Veriut ka bërë deri më tani.

“Të gjitha vendet e mbështetën Maqedoninë (e Veriut) me vendosmëri, ashtu si edhe Italia. Këtë dua ta nënvizoj publikisht dhe t’i them presidentit Pendarovski se e vlerësojmë durimin dhe përpjekjen që Maqedonia e Veriut ka bërë për të tejkaluar të gjitha vështirësitë dhe përpjekjet në planin e marrëdhënieve më të mira dhe pozitive me fqinjët e saj. Bëhet fjalë për hapa përpara”, tha Mattarella.

Duke potencuar se Unioni është e ardhmja jonë e përbashkët, Mattarella theksoi se pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Unioni nuk do të jetë i plotë dhe ka nevojë për këtë anëtarësim.

Ai theksoi gjithashtu se Italia do të jetë vazhdimisht në anën e Maqedonisë së Veriut në rrugën që duhet të bëjë për të arritur anëtarësimin në BE.

Presidenti Pendarovski, në konferencën për media, përkujtoi se vizita e presidentit italian po ndodh pothuajse 23 vjet nga vizita e fundit e një presidenti italian në vendin tonë.

Duke theksuar se me takimet e tilla konstruktive krijohet një mjedis i ri për zhvillimin e marrëdhënieve maqedono-italiane, ai tha se në takimin e sotëm është diskutuar për temat aktuale të marrëdhënieve dypalëshe, situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, integrimet evropiane, çështjet e sigurisë dhe modalitetet e përballjes me krizat e fundit ekonomike dhe energjetike me të cilat po përballet bota.

“Një nga temat kryesore që diskutuam ishte procesi ynë eurointegrues. Dua të falënderoj publikisht Italinë për mbështetjen e politikës së zgjerimit të BE-së dhe mbështetjen e padiskutueshme për ne në këtë kontekst”, theksoi presidenti Pendarovski.

Në kuadër të marrëdhënieve bilaterale, siç tha Pendarovski, të dy presidentët theksuan se bashkëpunimi ekonomik, parlamentar dhe sektorial është duke u zhvilluar në drejtim të rritjes, për çka u shpreh gatishmëria për thellimin e tyre të mëtutjeshëm.

Related posts

Gjermania i bën thirrje Rusisë “të ndalë vendosjen e minave në territoret e Ukrainës”

admin

Siri, rritet në 3.384 numri i personave të vdekur nga tërmetet

admin

Turqia shpëton 38 migrantë në Detin Egje

rezart morina