Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani ndodhet në një “luftë të gjithanshme”, duke deklaruar se qeveria po përpiqet të kapërcejë vështirësitë, transmeton Anadolu.
“Jemi në një luftë të gjithanshme ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë”, tha Pezeshkian në një fjalim televiziv të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
Ai shtoi se qeverisë i “vjen turp” që ka probleme në ekonomi.
“Trump thotë me lehtësi se do të vendosin sanksionet më dërrmuese apo më të tmerrshme ndaj Iranit”, deklaroi Pezeshkian, duke shtuar se Teherani po “qëndron i palëkundur” dhe po përpiqet t’i shërbejë popullit iranian në mes të asaj që ai e quajti një “luftë të pabarabartë”.
“Armiku kishte vlerësuar se nëse Irani bie, do të shndërrohet në Venezuelë. Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por Irani u bë një fuqi që mahniti botën me rezistencën, solidaritetin dhe kohezionin e tij”, pohoi presidenti.
Ai gjithashtu tha se Teherani po punon “me të gjitha forcat për të shmangur përçarjet, konfliktet dhe egot”.
Në muajin qershor, Irani dhe SHBA-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit, duke u dhënë fund armiqësive që kishin nisur në shkurt, si dhe ranë dakord të vazhdojnë negociatat drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Që atëherë, bisedimet kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zbatimin e memorandumit dhe rregullimet për lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për eksportet globale të naftës dhe gazit.

