Që telashet me drejtësinë të mos shndërrohen në dramë për individin dhe familjen
Kryeministri Rama prezantoi ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ku sipas paketës së prezantuar, për veprat me dënim maksimal nën pesw vjet nuk do të caktohet arrest në burg, ndërsa prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose favorizojnë personin.
Ndryshimet prekin edhe kontrollin e telefonave dhe përgjimet. Policia dhe prokuroria mund të sekuestrojnë një pajisje, por hapja, kopjimi ose përpunimi i përmbajtjes së saj do të kërkojë autorizim paraprak të gjykatës.
Ndërsa për përgjimet parashikohet që të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin.
Paketa vendos gjithashtu rregulla për prezumimin e pafajësisë dhe publikimin e materialeve të hetimit, përfshirë kufizime për publikimin e përgjimeve dhe të dhënave të caktuara.
Sipas kryeminsitrit Rama, përgjegjësia për nxjerrjen e sekretit nuk do të bjerë mbi median, por mbi personin që ka detyrimin ligjor ta ruajë atë.
Rama deklaroi se këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale nuk i heqin prokurorisë kompetencat për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht, “por ndryshon mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to.”
“Ju lutem, nuk mund të vazhdojmë me shifra të tilla, pas të cilave ka jetë njerëzish, drama familjesh, trauma fëmijësh dhe pasoja nganjëherë të pariparueshme jo vetëm për ata që i vuajnë, por edhe për shoqërinë. Jemi një vend shumë i vogël dhe një popull që vjen nga një histori shumë traumatike, për t’ia bërë vetes me duart tona, dëmin kolosal të një politike të tillë penale e cila ka një impakt negativ, jo vetëm mbi viktimat e drejtpërdrejta të saj, po edhe mbi shoqërinë, e cila nuk bëhet asnjëherë më e mirë e më njerëzore, kur peshorja e drejtësisë anon ndjeshëm nga represioni shtetëror”, argumentoi ai. /tesheshi

