RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Prigozhin mohon akuzat se Wagner ka tradhtuar forcat ruse

prigozhin-mohon-akuzat-se-wagner-ka-tradhtuar-forcat-ruse

Kreu i grupit rus të mercenarëve, Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka hedhur poshtë raportimet e një gazete amerikane, se ai kishte ofruar që të tradhtonte pozicionet ruse, teksa Kremlini i quajti “mashtrim” këto pretendime.

The Washington Post, duke cituar rrjedhje të informacioneve nga inteligjenca amerikane, tha se shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, në janar i kishte ofruar inteligjencës ukrainase zbulimin e lokacioneve të trupave të rregullta ruse në këmbim që Ukraina të tërhiqte trupat e saj nga Bahmuti.

Ushtarët e Wagner-it kanë udhëhequr betejnë disamujore për marrjen e kontrollit të Bahmutit, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut. Beteja për këtë qytet po konsiderohet si beteja më e përgjakshme që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Prigozhin shpesh ka kritikuar udhëheqjen ushtarake ruse, duke akuzuar komandantët se po tradhtojnë ushtarët e tyre duke mos i furnizuar me municione të mjaftueshme.

The Washington Post raportoi se oferta e Prigozhinit ishte refuzuar nga Ukraina, e cila nuk e kishte besuar atë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ky raportim “duket se është mashtrimi i radhës”.

Në një audio-mesazh të publikuar në Telegram të hënën, Prigozhin i quajti këto pretendime “të pakuptimta”.

Prigozhin mohoi se është takuar me Kyrylo Budanov, kreun e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, në Afrikë, duke shtuar se nuk ai nuk ka qenë në kontakt me të që nga nisja e konfliktit në Ukrainë. Madje, Prigozhin tha se është “qesharake” ideja që të dy kanë zhvilluar një bisedë telefonike.

Që nga java e kaluar, forcat ukrainase kanë bërë përparimet më të mëdha në gjashtë muaj, duke rimarrë kontrollin e disa territoreve përreth Bahmutit. /rel

Related posts

Halitaj që iu vranë 14 familjarë në Masakrën e Izbicës dëshmon kundër Alidemajt

Muhamet Ramadani

Në këtë link mund të aplikoni për subvencionim të energjisë elektrike

admin

Familja palestineze që migroi nga Gaza në Rafah, përpjekje për mbijetesë mbi rrënojat e një shtëpie

admin