RTV AHIRETI
Shëndetësi

Problematikat më të shpeshta në ORL gjatë stinës së verës, pse duhet të jemi alert sipas mjekëve?

problematikat-me-te-shpeshta-ne-orl-gjate-stines-se-veres,-pse-duhet-te-jemi-alert-sipas-mjekeve?

Ndryshimi i stinëve sjell problematika të ndryshme shëndetësore që lidhen me përshtatjen e trupit me sezonin e ri. Teksa i themi “mirupafshim” dimrit të ftohtë, mezi presim të përqafojmë aktivitetet në ambjente të hapura që ofron vera. Ndoshta pa u përgatitur, na duhet të përballemi menjëherë me rritjen e temperaturave, thatësirën e ajrit atmosferik, ngrënien e tepruar të akulloreve, djersitjet e neglizhuara gjatë ditës, festat me muzikë të lartë gjatë natës, përdorimin e shtuar të alkoolit, ekspozimin e zgjatur pranë kondicionerit etj.

Këto janë disa nga arsyet pse sezoni i verës sjell gjithmonë shtim të pacientëve që i drejtohen mjekut ORL.

Dr. Klaudia Stajka, mjeke Otorinolaringologe rendit arsyet ku duhet të tregohemi vigjilentë dhe të kujdesshëm ndaj shëndetit. Ja cilat janë sipas saj, disa nga shqetësimet më të shpeshta të hundës, veshit dhe fytit që hasim gjatë stinës së verës.

Veshi i notarit (Otiti ekstern)

Vera do të thotë not dhe zhytje, ndërsa për disa kjo nënkupton infeksione të përsëritura të veshit të jashtëm. Uji i kontaminuar futet në vesh dhe shndërrohet në rezervuar mikroorganizmash bakterialë. Një traumë e kanalit të jashtëm të dëgjimit shpeshherë bëhet shkak për fillimin e infeksionit. Në këtë rast pacienti përjeton enjtje të kanalit dhe dhimbje veshi të cilat kërkojnë përdorimin e antibiotikëve dhe kortizonikëve lokalë me recetën e mjekut.

Tapa dylli (cerumen)

Rritja e temperaturave dhe thatësia e ajrit mund të çojnë në bymimin e dyllit në vesh, duke e shndërruar atë në një tapë e cila bllokon kanalin e jashtëm të dëgjimit. Kjo shkakton ndjesi jo rehatie në vesh dhe ulje të dëgjimit. Pasi mjeku ORL konfirmon diagnozën, trajtimi lidhet me lavazh të veshit ose aspirim të cerumenit.

Myku (Otomikoza)

Otomikoza është një infeksion mykotik i kanali të jashtëm të dëgjimit me prevalencë më të madhe në vendet me klimë të ngrohtë dhe lagështirë, karakteristika këto tipike për stinën e verës. Ujrat e ndenjur si pishina apo liqenet bëhen vektorë transmetimi për agjentët mykotikë, sidomos në personat me imunitet të dobësuar. Ankesa kryesore e pacientëve është ndjesia e kruarjes që pasohet me dhembje. Në këto raste rekomandohet pastrimi i kanalit nga filamentet e mykut, evitimi i ujit në vesh dhe përdorimi i antimykotikëve lokalë apo sitemikë.

Gjakderdhje nga hunda (Epistaksis)

Ajri i nxehtë çon në tharjen e mukozave të hundës. Mukoza e hundës është e pasur me shumë enë gjaku. Rritja e temperaturës mund të bëhet shkak për rritjen e presionit të gjakut që shpeshherë shoqërohet me çarjen e ndonjë vaze sipërfaqësore. Gjakderdhja nga hunda mund të jetë me pika ose çurk dhe pacienti shpesh gëlltit gjakun apo ndien shijen e tij në gojë. Në këtë rast sugjerohet komprimimi me gisht i flegrave të hundës për disa minuta nga vetë ai si dhe qëndrimi në ajër të freskët. Nëse nuk arrihet të menaxhohet në kushte shtëpie, mjeku ORL vendos tampona në hundë të cilat mbahen për 48 orë.

Riniti alergjik

Fillimi i verës gjithashtu shënon fillimin e sezonit të poleneve për graset. Simptomat tipike të rinitit alergjik sezonal janë sekrecione të ujshme nga hundët, kruarje të syve, tështima. Riniti i patrajtuar mund të komplikohet në sinuzit. Për këtë arsye duhet të konsultoheni gjithmonë me mjekun alergolog dhe ORL, para fillimit të sezonit.

Trupat e huaj

Nuk mund të përfytyrohet dreka buzë detit pa praninë e peshkut në tavolinë. Halat e peshkut jo rrallëherë ngecin në fyt dhe kërkojnë ndërhyrjen e specialistit ORL për t’u hequr në mënyrë mekanike ose kirurgjikale. Shenjat kryesore janë gërvishtje e fytit, dhimbje fyti, sekrecione të shtuara në gojë (hipersalivacion), vështirësi në gëlltije. Kujdes! Nuk duhet të tentoni ta kaloni halën me ushqim pasi kjo mund ta shtyjë më thellë atë dhe vështirëson heqjen.

Ulja e dëgjimit

Gjatë verës, njerëzit në përgjithësi janë më të ekspozuar ndaj zhurmave apo muzikës së lartë. Shpeshherë kjo bëhet shkak për atë që njihet me termin “ulje e dëgjimit e induktuar nga zhurma” e shoqëruar ose jo, me zhurmë në vesh. Në ambientet me muzikë të lartë është e këshillueshme vendosja e kufjeve mbrojtëse dhe në rast se ulja e dëgjimi vazhdon për më gjatë se 24 orë duhet të drejtoheni tek specialisti ORL.

Tonsilektomia

Teksa mësuesit shijojnë periudhën e pushimit vokal dhe qetësohen nga problemet e laringut, fëmijët prenotojnë ndërhyrjen e heqjes së bajameve. Pacientët me tonsilit kronik zakonisht preferojnë muajt e verës për heqjen e bajameve pasi kanë një kohë të gjatë rikuperimi në dispozicion.

Related posts

Kaosi në tregun farmaceutik/ Ndryshimet në ligjet e barnave nuk përputhen me direktivat europiane

admin

Çfarë ndodh me trupin tonë kur konsumojmë kafe esëll në mëngjes? Ja disa efekte

rezart morina

Trupi ynë akumulon stresin: Ku fshihet më së shpeshti dhe si ta identifikoni

RTI