Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin me pacientin që vdiq dy ditë më parë në QKUK, pas një operacioni të rrallë në zemër.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë për KOHËN se në rast të paraqitjes së elementeve për vepër penale, do të ndërmerren veprime të tjera.
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështjeje dhe eventualisht ne rast te paraqitjes se elementeve te ndonjë vepre penale, do te veprohet tutje me këtë rast”, ka thënë Ulaj.
Kardiokirurgu Kushtrim Shala ka dalë me një reagim të enjten në mbrëmje pak orë pasi u akuzua nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë për mungesë përvoje, në rastin e një operimi të rrallë të kryer mesnatën e së martës në QKUK.
Shala e kishte cilësuar të suksesshëm intervenimin, por pacienti pas rreth tri orësh vdiq. Drejtori i Klinikës i ka quajtur kardiokirurgët jokompetentë dhe të papërvojë për një intervenim të tillë.
Teksa pacienti 63-vjeçar ende ishte në gjendje kome, kardiokirurgët e kanë paraqitur si sukses përmes një postimi me disa foto në Facebook. E pas vdekjes së pacientit, drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, i ka quajtur jokompetentë e të papërvojë mjekët që kryen intervenimin në zemrën e pacientit. Ai ka kërkuar hetim.
Në reagimin e tij në Facebook, Shala ka thënë se ndaj tij është bërë tentim për eliminim profesional nga Brahimaj të cilin e ka akuzuar vetë për mungesë përvoje.