Qindra mijëra njerëz kanë protestuar në qytete të ndryshme të Francës, ndërsa protestat e nisura nga nxënësit e shkollave të mesme janë përhapur edhe te prindërit, studentët universitarë dhe sindikatat.
Protestuesit kërkojnë më shumë burime për shkollat, më shumë mësues dhe përmirësimin e kushteve të mësimit, ndërsa kundërshtojnë atë që e konsiderojnë përdorim të tepruar të forcës nga policia.
Në Paris dhe Marsejë policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa në Rennes përdori topa uji. Përleshje pati edhe në Lion. Qeveria tha se gjatë protestave janë plagosur 215 nxënës, 85 punonjës të arsimit dhe 715 policë.
Sipas autoriteteve, të martën u bllokuan ose u prekën nga protestat 891 shkolla të mesme, ndërsa më shumë se 250 mijë persona morën pjesë në demonstrata. Sindikatat e nxënësve e vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 450 mijë protestues dhe thanë se rreth 1 800 shkolla u bllokuan.
Nxënësit në Marsejë thanë se shumë shkolla kanë kushte të këqija, përfshirë çati që rrjedhin dhe mungesë të hapësirave të përshtatshme për mësim.
Protestat kanë nisur në mesin e shtatorit dhe vazhdojnë të përhapen në të gjithë Francën. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë disa raste të përdorimit të forcës nga policia. Një oficer është akuzuar për dhunë pasi një granatë me gaz lotsjellës goditi në fytyrë një nxënës 14-vjeçar, i cili pësoi frakturë të nofullës dhe humbi disa dhëmbë.
Sindikatat kanë paralajmëruar protesta të tjera të nxënësve dhe studentëve gjatë ditëve në vijim. /mesazhi

