Një imigrant afgan i cili kishte ardhur nga Greqia në Zvicër për të kërkuar azil, ka kryer vetëvrasje në Gjenevë pasi gjykata vendase urdhëroi deportimin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas televizionit shtetëror zviceran RTS, 18-vjeçari Alireza, i cili vitin e kaluar kishte ardhur në Gjenevë për të kërkuar azil, prej disa kohësh jetonte në një familje kujdestare dhe mësonte gjuhën frënge.
Pavarësisht përshtatjes me mjedisin në një kohë të shkurtër, Gjykata e Gjenevës vendosi që Alireza të dëbohej dhe të kthehej në Greqi.
Pas vendimit, u zbulua se Alireza u vetëvra më 6 dhjetor.
Autoritetet e imigracionit në Gjenevë dyshohet se kanë injoruar paralajmërimin e mjekëve se Alireza kishte prirje për të kryer vetëvrasje.
Protestë në Gjenevë
Mijëra njerëz protestuan në rrugën Bel Air të Gjenevës pas lajmit për vetëvrasjen e refugjatit afgan.
Turma, mes së cilës kishte edhe persona me origjinë afgane, reagoi ndaj vendimit të Gjykatës së Gjenevës me parullën “Duam drejtësi”.