Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të enjten më 18 gusht në Bruksel, pas më shumë se një viti nga takimi i tyre i fundit, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Takimi i nivelit të lartë mbi dialogun Prishtinë-Beograd do të mbahet në Bruksel ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.
Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.
Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të mbajë një deklaratë për mediat. Deklarata nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të BE-së dhe do të publikohet në faqen e internetit të (EEAS).
Ndërkohë në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, takuan të martën më 16 gusht përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Në fokus të takimit ishin edhe takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. /REL/