RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Punëtorët e mbetjeve elektronike në Indi përballen me rreziqe toksike për shëndetin

punetoret-e-mbetjeve-elektronike-ne-indi-perballen-me-rreziqe-toksike-per-shendetin
Ndërsa konsumi digjital në Indi vazhdon të rritet dhe sasia e mbetjeve elektronike shtohet çdo vit, barra e menaxhimit të këtyre mbetjeve po bie gjithnjë e më shumë mbi punëtorët e sektorit të pastrimit, të cilët punojnë në kushte të pasigurta dhe shpesh pa asnjë mbrojtje bazë shëndetësore. Këta punëtorë përballen çdo ditë me prerje, infeksione dhe ekspozim ndaj substancave toksike që dalin nga çmontimi dhe djegia e pajisjeve elektronike të vjetra. Shumë prej tyre nuk kanë as doreza, as maska dhe as trajnim për rreziqet me të cilat përballen

Mateen Malik qëndron brenda një punishteje të ngushtë në zonën Mustafabad të Nju Delhit, duke ndarë me kujdes telat e bakrit nga grumbujt e pajisjeve elektronike të hedhura.

Rreth tij ndodhen pajisje të prishura si freskuese ajri, kabllo të ngatërruara, copa metali dhe kompjuterë e laptopë të vjetër të vendosur përballë mureve të nxira të punishtes.

Duart e zhveshura të Malikut lëvizin shpejt teksa ai heq shtresën plastike të telave për të nxjerrë bakrin brenda. Ai shpesh përdor edhe flakë për të çmontuar pajisjet elektronike, një proces që lëshon kimikate shumë toksike në ajër, duke paraqitur rreziqe serioze për shëndetin.

“Ndonjëherë nxjerrja e materialit është e vështirë dhe nuk kam pajisje mbrojtëse, as doreza, as maskë. Shpesh më digjen edhe duart. Kjo është rutinë në punën tonë. Ka edhe mbetje kimike”, tha Malik për Al Jazeera. “Por unë jam i varur nga kjo punë”.

Malik, në fillim të të njëzetave, është një ndarës jozyrtar dhe i patrajnuar i mbetjeve elektronike në Mustafabad, një nga qendrat e paregjistruara të mbetjeve në Indi, ku rrugicat e ngushta dhe me pluhur janë të mbushura me zhurmën e vazhdueshme të çekiçëve dhe me erën e plastikës së djegur dhe metaleve.

Një punëtor mesatar këtu fiton rreth një dollar për çmontimin e një telefoni celular dhe dyfishin për një televizor, duke arritur rreth 8 dollarë në ditë për 12 orë punë të lodhshme – pa doreza, maska apo pajisje mbrojtëse.

Kostoja e fshehur e kësaj pune është shumë më e madhe: sëmundje kronike, ndotje mjedisore dhe breza të ekspozuar ndaj substancave toksike.

“Punë e rrezikshme”

India është gjeneruesi i tretë më i madh i mbetjeve elektronike në botë pas Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, me vëllimin e riciklimit që rritet pothuajse 23 për qind çdo vit.

Në mars të këtij viti, ministri shtetëror federal për mjedisin, pyjet dhe ndryshimet klimatike, Kirti Vardhan Singh, i tha parlamentit se India kishte gjeneruar më shumë se 1.4 milion ton metrikë mbetjesh elektronike në vitin 2025–2026, nga të cilat rreth 979.000 tonë u ricikluan.

Sipas një raporti të dorëzuar nga Bordi Qendror për Kontrollin e Ndotjes në Gjykatën Kombëtare të Gjelbër, vetëm Nju Delhi prodhon gati 10 për qind të mbetjeve elektronike të Indisë, me rreth 230.000 tonë metrikë në vit.

Pas këtyre pajisjeve të hedhura qëndron një rrjet i gjerë tregtarësh skrapi, punishtesh riparimi dhe çmontuesish në oborre të pasme, të cilët shpesh punojnë me pak ose aspak njohuri për rreziqet toksike me të cilat përballen.

Ndërsa konsumi digjital në Indi rritet dhe mbetjet elektronike shtohen, barra e menaxhimit të tyre bie kryesisht mbi punëtorë si Maliku, pa mbrojtje të mjaftueshme ndaj rreziqeve të përditshme.

Në një tjetër punishte të vogël, rrjedha të holla tymi të zi ngrihen ndërsa Muhammad Faizan djeg tela të izoluar për të nxjerrë bakrin.

Pjesët e dukshme të mureve të punishtes janë nxirë nga djegia e vazhdueshme. Era e plastikës së shkrirë mbetet në ajër ndërsa punëtori migrant nga distrikti Bulandshahr i shtetit Uttar Pradesh punon me tre burra të tjerë në një hapësirë shumë të ngushtë.

“Është punë e rrezikshme. Ulem në të njëjtin vend çdo ditë nga ora 9 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes. Gjatë çmontimit të pajisjeve, shpesh më priten duart. Dhe kur djegim plastikën për të nxjerrë metalin, thith tymin”, tha ai për Al Jazeera.

“Na paguajnë sipas sasisë së metalit që nxjerrim, kështu që varet sa kilogramë arrij të ndaj çdo ditë”.

Afër tyre, një grup punëtore femra qëndrojnë së bashku në një tjetër punishte, duke ndarë bakër, argjend dhe madje edhe gjurmë ari nga çipat elektronikë dhe hard disqet e hedhura, me duart e tyre të zhveshura.

Nxehtësia brenda dhomës është mbytëse, ndërsa grumbujt e pajisjeve elektronike zënë pothuajse gjithë hapësirën e ngushtë, duke lënë pak vend për të lëvizur.

“Kushtet e punës janë të vështira, hapësira është e vogël, me vetëm disa ventilatorë që mezi sjellin lehtësim në këtë vapë”, tha Shakila, një punëtore migrante 48-vjeçare nga shteti West Bengal, për Al Jazeera. “Ne gjithashtu kemi prerje të shpeshta në duar dhe infeksione”.

Ndonjëherë, tha ajo, nuk arrin ta përfundojë pjesën e saj të punës dhe e merr në shtëpi. “Na paguajnë më pak se burrat, por të paktën fitojmë diçka”.

Al Jazeera kontaktoi Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Ndryshimeve Klimatike të Indisë dhe Komitetin e Kontrollit të Ndotjes së Delhit lidhur me sigurinë e punëtorëve dhe zbatimin e rregullave përkatëse, por nuk mori përgjigje.

Familjet gjithashtu të prekura

Bharati Chaturvedi, themeluese dhe drejtoreshë e “Chintan”, organizatë për kërkim dhe veprim mjedisor, thotë se një nga karakteristikat kryesore të ekonomisë jozyrtare të mbetjeve elektronike në Indi është përzierja e hapësirave të banimit me ato të punës.

“Shumë shpesh, një punëtor jeton në katin e sipërm, ndërsa çmontimi i pajisjeve bëhet në katin përdhes ose në çati”, i tha ajo Al Jazeera.

“Gjëja e parë që të bie në sy është afërsia me këto materiale, shumë prej të cilave janë të prishura dhe të hedhura, me pluhur plumbi dhe toksina të tjera. Ato madje mund të marrin flakë”, tha ajo.

“Punëtorët shpesh përdorin flakë për të çmontuar pajisjet, duke liruar edhe më shumë substanca toksike në ajër”.

Pasojat nuk kufizohen vetëm te punëtorët. Familjet e tyre, përfshirë edhe fëmijët, shpesh ekspozohen ndaj këtyre substancave, sepse jetojnë në të njëjtat hapësira ku përpunohen mbetjet elektronike.

“Ka një ndikim të madh, sidomos te fëmijët, për shkak të toksinave të rënda. Ka mungesë të theksuar përgjegjësie për përmirësimin e kushteve të punëtorëve,” tha Chaturvedi, duke përshkruar një sërë rreziqesh shëndetësore që lidhen me riciklimin jozyrtar, përfshirë prerje, infeksione, ekspozim ndaj plumbit, pluhur toksik dhe kimikate të rrezikshme.

“Nëse je ekspozuar ndaj plumbit, trupi e ka shumë të vështirë të përthithë hekurin. Njerëzit mund të mbeten anemikë dhe të dobët. E njëjta gjë vlen edhe për gratë dhe fëmijët, sepse ata jetojnë në të njëjtin vend ku edhe punojnë”, shtoi ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktivitetet informale të riciklimit mund të lëshojnë substanca toksike si plumbi, merkuri, kadmiumi dhe dioksinat në mjedis. OBSH-ja i ka lidhur këto ekspozime me dëmtime të zhvillimit neurologjik, ulje të funksionit të mushkërive dhe sëmundje respiratore, veçanërisht te fëmijët që jetojnë pranë këtyre zonave të riciklimit.

Vitin e kaluar, një studim mbi punëtorët informalë të mbetjeve elektronike në zonën Seelampur të Delhit zbuloi se ata përballen me rreziqe të mëdha shëndetësore në punë, ndërkohë që kanë shumë pak njohuri për rreziqet që lidhen me trajtimin e mbetjeve elektronike. Pavarësisht rrezikut, vetëm rreth 10 për qind e punëtorëve përdorin rregullisht pajisje mbrojtëse personale (PPE), duke përmendur si arsye kryesore koston e lartë dhe parehatinë gjatë përdorimit.

Megjithëse India ka ligje dhe rregulla për menaxhimin e mbetjeve elektronike, ricikluesit informalë shpesh i shmangin ato, ndryshe nga punishtet e licencuara. Të dhënat qeveritare tregojnë se India ka vetëm 322 riciklues të autorizuar të mbetjeve  elektronike, ndërsa studiuesit vlerësojnë se sektori informal ende trajton rreth 95 për qind të pajisjeve elektronike të hedhura.

Rehman, i cili kërkoi të mos i publikohej mbiemri, zotëron një punishte të vogël në Mustafabad, ku punëson gjashtë punëtorë. Ai thotë se fitimet në këtë biznes janë shumë të ulëta, gjë që e bën të vështirë sigurimin e pajisjeve mbrojtëse dhe kushteve më të mira të punës.

“Ne nuk mund të përballojmë infrastrukturën dhe kushtet që kanë kompanitë e mëdha të riciklimit. Këtu ne i paguajmë punëtorët sipas sasisë së mbetjeve që ata përpunojnë. Si do të mbijetojë biznesi nëse i rrisim kostot?” i tha ai Al Jazeera.

Një raport i vitit 2019 nga “Toxics Link”, një organizatë mjedisore joqeveritare, identifikoi të paktën 15 zona informale të e-mbetjeve në Nju Delhi që nuk respektojnë masat e sigurisë në punë apo standardet mjedisore, duke ekspozuar si punëtorët ashtu edhe komunitetet përreth ndaj ndotësve të rrezikshëm.

Thirrje për reformë dhe përfshirje

Chaturvedi thotë se qeveria duhet të fokusohet në integrimin e punëtorëve informalë në ekonominë formale, në vend që të hartojë politika që synojnë t’i përjashtojnë ata.

“Mënyra si e shoh unë është që duhet t’i formalizosh njerëzit. Nuk mund t’i lësh ata gjithmonë informalë”, tha ajo.

Versionet e mëparshme të politikave indiane për e-mbetjet lejonin krijimin e kooperativave, grupeve vetë-ndihmuese dhe shoqatave që mund të merrnin licenca për grumbullim dhe çmontim, por këto dispozita nuk ekzistojnë më, shtoi ajo.

“Kur nuk i përfshin njerëzit, nuk mund t’i bësh ata të respektojnë rregullat. Dhe nëse nuk i përfshin, nuk mund t’i ndihmosh as të përmirësojnë kushtet e punës,” tha Chaturvedi, duke theksuar nevojën për hapësira pune të përballueshme, mbështetje politike dhe programe trajnimi.

Satish Sinha, bashkëdrejtor në “Toxics Link”, tha se punëtorët informalë në Indi vazhdojnë të luajnë një rol qendror në ekonominë e e-mbetjeve, pavarësisht se janë të përjashtuar zyrtarisht nga ajo.

“Sipas ligjit, punëtorët informalë nuk duhet të merren me këto mbetje. Por në realitet, ligji nuk zbatohet kështu. Sektori informal vazhdon të ketë rol të madh. Ata i mbledhin, i grumbullojnë, i transportojnë dhe në një masë të madhe edhe i çmontojnë pajisjet elektronike. Disa madje nxjerrin edhe metale prej tyre,” i tha ai Al Jazeera.

Sipas Sinhas, punëtorët informalë mund të përfshihen në sistem, por disa procese kërkojnë kontroll shumë më të rreptë.

“Unë mendoj se ata mund të angazhohen në mbledhje. Mund të transportojnë materiale sipas udhëzimeve të caktuara dhe mund të tregtojnë me to. Por nuk po them që ata duhet të çmontojnë mbetjet elektronike apo të nxjerrin metale prej tyre. Këto procese duhet të kryhen në kushte të kontrolluara rreptësishtë, të sigurta për mjedisin dhe shëndetin,” tha ai.

Ndërsa mbrëmja bie në Mustafabad, zhurma e çekiçëve dhe çmontimi i pajisjeve elektronike vazhdon pas dyerve të mbyllura, ndërsa punëtorët ndajnë pjesët që më vonë mund të kthehen përsëri në zinxhirin e furnizimit.

“Ne nuk kemi punë tjetër; jemi të varur nga kjo. Na jep të ardhura dhe na ndihmon të mbijetojmë në një qytet si Nju Delhi”, thotë Shakila.

Përktheu: Blerta Haxhiu/koha.net

Related posts

Kurti diskuton me QUINT-in për hapjen e urës mbi Ibër

admin

Kurti sot në Greqi – Merr pjesë në darkën joformale me liderë të rajonit, nesër takimi dypalësh me kryeministri grek

Muhamet Ramadani

Drilon Gashi emërohet shef i misionit të Kosovës në Poloni

admin