RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Punëtorët nga India, Nepali, Bangladeshi vërshojnë Kosovën

punetoret-nga-india,-nepali,-bangladeshi-vershojne-kosoven

Mungesa e fuqisë punëtore në Kosovë ka filluar t’u sjellë shumë telashe kompanive. Shumica e tyre tashmë kanë marrë punëtorë nga jashtë, si nga Bangladeshi, Nepali, India dhe Turqia. Orari i stërzgjatur i punës, mohimi i pushimeve vjetore, puna pa kontratë, paga e ulët e me vonesa janë ankesat që, ndër vite, kanë shprehur punëtorët e sektorit privat. Një tjetër arsye që ka çuar në krizë për punëtorë është emigrimi i qytetarëve.

Prej muajsh apo edhe vitesh, Kosova po përballet me mungesë punëtorësh të profileve të ndryshme, nga kamerierët e rrobaqepësit e deri te mjekët e infermierët.

Interesimi i qytetarëve për të punuar, sidomos në sektorin privat, ka rënë për disa arsye. Kryesisht ato lidhen me mungesën e kontratës, punën në fundjavë, mospagesën e orëve shtesë, pagën e ulët e të tjera.

Një tjetër arsye që ka çuar në krizë për punëtorë është emigrimi i qytetarëve.

Paga minimale në Kosovë, nga viti 2011, është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç. Kurse paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas ASK-së, ka qenë 484 euro.

Mungesa e fuqisë punëtore është shfaqur fort kohët e fundit.

Në dyert dhe dritaret e bizneseve në Kosovë janë bërë të shpeshta shpalljet, nëpërmjet të cilave kërkohen punëtorë.

Shitës, punëtor arke, rrobaqepës, kuzhinier e kamerier janë profesionet që kërkohen më së shumti muajt e fundit.

Por, thirrja për një vend pune duket e kotë për qytetarët e Kosovës.

Në vend të tyre, punë janë duke marrë qytetarët e shteteve të huaja.

Kërkesa për fuqi punëtore nga jashtë është në rritje

Në Odën Ekonomike të Kosovës kanë treguar se janë dhjetëra kompani që tashmë kanë punësuar punëtorë nga vendet tjera, kryesisht aziatike, dhe po aq kompani janë në kërkim të fuqisë punëtore nga jashtë.

“Kërkesa për fuqi punëtore nga jashtë është në rritje. Fuqia punëtore po na vjen nga Bangladeshi, Turqia, Nepali dhe vendet e tjera”, thotë kreu i OEK-ut, Lulzim Rafuna.

Sipas tij, Kosova nuk po arrin ta luftojë mungesën e fuqisë punëtore me marrjen e punëtorëve nga vendet e tjera.

“….kompanitë vendase po raportojnë se fuqia punëtore që po vjen nga vendet aziatike është e pakualifikuar dhe po përshtatet me vështirësi me rrethanat e punës në Kosovë”.

Rafuna thotë se shumica e këtyre punëtorëve nuk kanë qëllim final tregun e punës në Kosovë. “Punëtorë, të cilët vijnë nga vendet e treta lidhin kontrata pune me paga dhe kushtet që ofron kompania, bazuar edhe në legjislacionin në fuqi, siç është Ligji i Punës”.

Sipas tij, institucionet duhet të bëjnë përpjekje që të ndërtojnë politika për të parandaluar ikjen e madhe të fuqisë punëtore, pasi humbjet në aspektin ekonomik do të jenë të mëdha.

“Ne duhet ta kemi synim ndaljen e emigrimit. Nëse nuk mund ta ndalim, ta sjellim në minimumin e mundshëm, duke ofruar një sistem të përshtatshëm arsimor, një sistem të sundimit të ligjit efikas, një sistem të mirë të shëndetësisë dhe duke krijuar siguri juridike dhe ekonomike për të rinjtë”.

Frika më e madhe nga 1 janari

Dilemat për largim të një pjese të punëtorëve nga vendi, nga 1 janari i 2024-s, kur është paraparë të liberalizohen vizat, kanë shtyrë bizneset që të gjejnë alternativa të tjera, në mënyrë që të mos mbeten pa staf.

“Disa biznese kanë filluar të kontraktojnë edhe punëtorë nga jashtë vendit, e sidomos pjesa e bizneseve të gastronomisë”, ka thënë Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë deklaruar se nga janari 2022 deri në qershor të këtij viti, kanë miratuar 381 viza pune, ndërsa 165 janë refuzuar.

“Më së shumti, kërkesa për viza pune në Kosovë janë pranuar nga Bangladeshi, India, Nepali, Egjipti, Filipinet, Pakistani dhe Bosnja”.

Megjithatë, punësimi i të huajve nuk do të jetë një zgjidhje afatgjatë për bizneset.

“Duke u bazuar në ligjin nr.04/L-205 për Agjencinë e Punësimit të Kosovës, Agjencia ka mandat të lëshojë vetëm leje pune afatshkurtra për të huajt, deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve brenda 1 viti”.

Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kanë treguar se si shkojnë procedurat për rekrutimin e këtyre punëtorëve.

“Migrimi afatshkurtër është i mundur. Është i mundur edhe natyralizimi, pastaj bashkimi familjar, si dhe migrimi për çështje ekonomike dhe biznesore.

Por në të shumtën e rasteve po shohim se bizneset po i pajisin punëtorët nga jashtë me vizë afatgjatë për biznes dhe me leje qëndrimi, e cila ua garanton edhe lejen e punës”.

Pse po vijnë të huajt e po ikin vendasit

Aleanca Kosovare e Bizneseve thonë se kjo po ndodh për shkak se Kosovës po i ikin punëtorët për një standard më të mirë.

“Janë disa shtete që dëshirojnë të vijnë punëtorët si Turqia, Bangladeshi, India, po ashtu edhe nga shtetet arabe, për të cilat Kosova jo që e ka hapur ndonjë mundësi të re për të punësuar fuqi punëtore nga të huajt, por se nga Kosova po ikin punëtorët tanë për të gjetur një standard më të mirë në shtetet e Perëndimit”.

Qëllimi i ardhjes së të huajve në Kosovë, sipas Shahinit, është vetëm shfrytëzimi i vendit si tranzit.

“Ata që po vijnë nga jashtë po e shfrytëzojnë Kosovën si vend tranzit për të qenë këtu dhe për të pasur mundësi nga Kosova për të ikur diku tjetër”, tha ai.

Megjithatë, sipas Shoqatës së Gastronomëve, shumë prej tyre kanë filluar të përshtaten në sektorë të ndryshëm të gastronomisë.

“Kuzhina, pjesë të caktuara, sektorë të caktuar brenda gastronomisë, të cilat nuk kanë shumë komunikim me klientë, por ka edhe të huaj të cilët po e mësojnë gjuhën edhe po përshtaten për pjesën e shërbimit të jashtëm. Kjo nuk është diçka mirë, sepse ka ende plot të papunë të cilët nuk po angazhohen”.

Edhe eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se punëtorët e huaj mund ta shohin Kosovën vetëm si vend tranzit për të shkuar drejt Bashkimit Europian.

“Kam drojë që shumica e tyre që vijnë në Kosovë e përdorin si momentum për të ikur diku në Europë. Besoj që bashkërisht të lobojmë dhe të dialogojmë për të ngritur vetëdijen jo vetëm te të rinjtë, por edhe te bizneset e Kosovës, që të bëjnë më tepër për punëtorët dhe kushtet e tyre.

Do të jetë shumë e vështirë të mendohet se të huajt do të kontribuojnë më shumë se vendasit”.

Ligji për të huajt në Kosovë rregullon çështjet për dhënien e lejes së punës për të huajt.

Sipas këtij ligji, personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës duhet të pajisen me leje pune. Qeveria e Kosovës cakton çdo vit numrin e lejeve të punës për shtetas të huaj.

Related posts

Tërhiqen avokatët e Thaçit, ankohen për mospagesë

admin6

Erdoğan: Putin mund të vizitojë Turqinë për ‘hapin e parë’ për termocentralin bërthamor Akkuyu

admin

Antidroga me aksion të gjerë në Gjilan, arrestohen katër persona

admin