Presidenti rus Vlladimir Putin akuzoi sot Ukrainën për provokim në shkallë të gjerë dhe sulme pa dallim në rajonin kufitar të Kurskut, ku Moska pretendon se ka luftuar kundër inkursionit të trupave ukrainase që nga dje.
“Regjimi i Kievit ka ndërmarrë një tjetër provokim në shkallë të gjerë, duke gjuajtur pa dallim me lloje të ndryshme armësh, duke përfshirë raketa, në ndërtesa banimi, ambulanca”, tha Putin në një mbledhje të kabinetit në Moskë.
Duke njoftuar se do të zhvillonte gjithashtu një takim me krerët e agjencive të zbatimit të ligjit dhe zyrtarë të lartë ushtarakë për situatën në Kursk, Putin tha se kishte urdhëruar agjencitë civile të ofrojnë ndihmën e nevojshme për banorët e rajonit.
Rusia tha të martën se rreth 300 ushtarë ukrainas së bashku me 11 tanke dhe më shumë se 20 automjete të blinduara luftarake sulmuan pozicionet ushtarake ruse pranë dy vendbanimeve kufitare të vendosura pranë rajonit kufitar Sumy të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se përleshjet mes trupave ruse dhe forcave ukrainase vazhduan gjatë natës, duke shtuar se forcat e tyre nuk e lejuan Ukrainën të përparonte thellë në territorin rus.
Të paktën pesë persona janë vrarë që nga fillimi i konfliktit në rajon, sipas deklaratave të guvernatorit në detyrë të Kurskut, Alexei Smirnov.
Alexei Kuznetsov, nënkryetari i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se 24 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u plagosën nga bombardimet ukrainase.
Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar ende pretendimet ruse.