Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka zgjatur deri më 31 dhjetor ndalimin e shitjes së naftës dhe produkteve të naftës ruse për vendet që vendosën kufizime të çmimit, transmeton Anadolu.
Sipas një dekreti në faqen zyrtare të qeverisë ruse, furnizimi i naftës dhe i produkteve të naftës ruse është i ndaluar në bazë të kontratave që parashikojnë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përdorimin e kufirit të çmimit.
Fillimisht, dekreti hyri në fuqi më 1 shkurt dhe ishte i vlefshëm deri më 1 korrik, por tani u zgjat deri në fund të vitit.
Dhjetorin e vitit të kaluar, SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE), Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Japonia dhe Australia vendosën një kufi çmimi prej 60 dollarësh për fuçi për furnizimet e naftës ruse nga deti, ndërsa në muajin shkurt kufiri u zgjerua në të gjitha produktet e naftës ruse.