Qeveria e Kosovës ka njoftuar se po e përcjell me vëmendje situatën e krijuar pas reshjeve të shiut, ku janë vërshuar disa vendbanime kryesisht në Komunën e Gjakovës dhe Rahovecit.
Përmes një komunikate për medie, zyra e kryeministrit ka njoftuar se në terren ka dalë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, të cilët sipas njoftimit, bashkë me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse po vizitojnë vendet e vërshuara, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.
“Niveli qendror është në gjendje gatishmërie që t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellur gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna”,thuhet në njoftim.
Sipas Qeverisë, vërshimet kanë prekur disa fshatra të Gjakovës dhe Rahovecit dhe lagjet në qytetin e Gjakovës.
“Më e rënduar ka qenë gjendja në lagjet “Shote Galica”, “ Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula” dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës.
Ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen “Shote Galica” dhe në lagjet tjera.
Është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu Qeveria ka bërë të ditur se qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112.
Gjithashtu njësinë më të afërt Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193, Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192 dhe Ndihmën e shpejtë, në numër të telefonit 194.