Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill të martën deklaroi se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
E nga Qeveria e Kosovës është thënë se në dialog synon normalizim dhe njohje të ndërsjellë me Serbinë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se Kosova po përpiqet në këto dy drejtime në takimet në Bruksel.
“Ne si Republikë e Kosovës përmes përfaqësuesit tonë në dialog jemi të përkushtuar që përmes dialogut në Bruksel të arrijmë në marrëveshje që ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen e ndërsjellë, por kjo është vetëm në raport me Serbinë. Sa i përket çështjeve të tjera dhe forcimit të subjektivitetit të Kosovës ne vazhdojmë punën”, është përgjigjur Murati ndaj deklaratës së Hillit.
Bashkimi Evropian është deklaruar po ashtu pas deklaratës së ambasadorit duke theksuar se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.
“Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.