Qeveria e Kosovës më 29 qershor mori dy vendime për kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë.
Sipas këtyre vendimeve çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë, si dhe regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022.
Dokumenti i cili Qeveria e Kosovës ua dërgoi ambasadave lidhur me vendimin për targat dhe letërnjoftimet e Serbisë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane, tha se si Qeveri kanë përgatitur një dokument prej katër faqesh i cili shpjegon në detaje elementet e këtyre dy vendimeve që kanë marrë më 29 qershor. Ky dokument u është dërguar ambasadave të huaja në Kosovë, ambasadave të Kosovës në botë, dhe ambasadave të huaja përmes ambasadës së Kosovës në Bruksel.
“Kemi prodhuar një dokument 4 faqesh ku kemi shpjeguar në detaje prapavijën e të gjitha vendimeve për targat, dokumentin për konvertimin e targave në KM i cili është dashtë mu përfunduar në 2018 dhe dokumentin për hyrje-dalje. Këtë ua kemi shpërndarë të gjitha ambasadave të huaja në Kosovë, e të gjitha ambasadave të Kosovës në botë dhe përmes ambasadës tonë në Bruksel të gjitha ambasadave të huaja që janë në Bruksel”, ka thënë Bislimi.
Ai shtoi se dokumenti hyrje-dalje do të filloj të zbatohet nga data 1 gusht e këtij viti.
Telegrafi ka arritur të siguroj dokumentin prej katër faqesh të përpiluar nga Qeveria e Kosovës, të cilin u ka dërguar ambasadave të huaja e ku jepen detaje shtesë rreth dy vendimeve që kanë marrë lidhur me reciprocitetin me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.
Dokumenti i cili Qeveria e Kosovës ua dërgoi ambasadave lidhur me vendimin për targat dhe letërnjoftimet e Serbisë
Në dokument thuhet se me lehtësimin e BE-së, ekipet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia u takuan shtatë herë ndërmjet tetorit 2021 dhe prillit 2022 duke u përpjekur për të arritur një zgjidhje të përhershme lidhur me targa.
“Kjo zgjidhje pritej të pasqyronte standardet më të mira evropiane dh praktikat. Gjatë gjashtë muajve, Kosova ka demonstruar qasje konstruktive e cila u njoh nga lehtësuesi i BE-së, por kjo nuk u përgjigj nga Serbia. Kosova u tregua e hapur dhe madje mori pjesë në takime shtesë pas afatit. Megjithatë, edhe një herë Serbia nuk ishte e gatshme të gjente një zgjidhje duke çuar kështu në dështim të bisedimeve”, thuhet në dokument.
Më tej në pjesën ku sqarohet vendimi për konvertimin e targave ilegale “KM” në RKS, në këtë dokument në pikën 3 thuhet se “Është pothuajse pa kosto për një pronar makine ta regjistrojë automjetin e tij/saj me targa të vlefshme të Kosovës (vetëm taksa rrugore dhe ekologjike ende kërkohet). Një gjë e tillë do tu mundësoj qytetarëve që të kursejnë mesatarisht 5000 euro për automjet”.
Dokumenti i cili Qeveria e Kosovës ua dërgoi ambasadave lidhur me vendimin për targat dhe letërnjoftimet e Serbisë
Tutje në dokumentin që ka siguruar Telegrafi, Qeveria e Kosovës zotohet se do të vazhdojë të kërkojë një normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë për lirinë e lëvizje ku qytetarët e të dy vendeve do të lëviznin lirshëm me dokumentet dhe targa që janë të lëshuara nga autoritetet përkatëse.
Në dokumentin katër faqesh, sqarohet edhe pjesa e vendimit të Qeverisë për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.
Aty përmendet se një regjim i përkohshëm ngjitës do të vazhdojë të zbatohet deri më 31 tetor 2022, për shkak të mungesës së bisedimeve të lehtësuara nga BE për të prodhuar një zgjidhje të përbashkët.