Përmbytjet e fuqishme në zonat kufitare të Himalajeve, mes Nepalit dhe Tibetit kinez, shkaktuan vdekjen e të paktën nëntë personave dhe shkatërruan rrugë, ura e projekte energjetike. Autoritetet në të dyja vendet përgatiteshin për më shumë viktima dhe dëme edhe më të rënda. Raportohet për mbi 341 persona të zhdukur, mes tyre edhe shumë turistë të huaj.
Shtëpi dhe rrugë u shkatërruan nga uji në Nepal, ndërsa zyrtarët në Tibet shprehën frikën për “viktima të shumta” dhe persona të zhdukur në qarkun Gyirong, pasi një rrëshqitje dheu goditi një pikëkalim tokësor midis dy vendeve fqinje.
Helikopterët e shpëtimit nuk mundën të uleshin në zonat e prekura të Syapru Besi dhe Timure, në distriktin malor të Rasuës (me një popullsi prej rreth 50,000 banorësh), pasi lumi kishte dalë nga shtrati i tij normal, thanë zyrtarët.
“Mund të ketë viktima të shumta ose humbje të mëdha pronash”, tha administratori i distriktit, Narendra Pariyar, i cili u bëri thirrje banorëve përgjatë lumit Bhote Koshi të zhvendoseshin në zona më të larta, pas raporteve se fshatra dhe zona ku po realizoheshin projekte ishin përfshirë nga uji.
Helikopterët e shpëtimit të Nepalit nuk do të mund të ulen në zonat e prekura derisa të tërhiqet uji, tha zëdhënësi i ushtrisë, Raja Ram Basnet.

