Mynihu ka vendosur kufizime të gjera për përdorimin e ujit, pasi konsumi ditor u rrit ndjeshëm mbi nivelet normale gjatë një periudhe të zgjatur thatësire, ndërsa kryetari i bashkisë u bëri thirrje banorëve të ndalojnë menjëherë përdorimin e “panevojshëm” të ujit, transmeton Anadolu.
“Konsumi i ujit është rritur ndjeshëm sërish ditët e fundit”, tha kryetari i bashkisë, Dominik Krause, ndërsa kryeqyteti bavarez nxori një urdhër emergjent që hyri menjëherë në fuqi dhe do të jetë në fuqi deri më 1 gusht, me mundësi zgjatjeje nëse kushtet e thata vazhdojnë.
“Pas një dimri dhe pranvere jashtëzakonisht të thatë, burimet ekzistuese të furnizimit me ujë të Mynihut aktualisht janë nën një presion ekstrem. Prandaj kam vendosur, në koordinim me Stadtëerke München dhe departamentin e klimës dhe mjedisit të qytetit (RKU), të marr masa të tjera të detyrueshme për kursimin e ujit”, tha ai.
Zyrtarët e qytetit thanë se kërkesa e fundit ka kaluar mbi 360 milionë litra në ditë, krahasuar me një mesatare prej rreth 300 milionë litrash. Qyteti tha se stuhitë dhe reshjet e parashikuara në ditët e ardhshme “nuk do të sjellin lehtësim të mjaftueshëm”.
Sipas urdhrit, banorëve u ndalohet mbushja ose përdorimi i pishinave private. Ndalimi përfshin gjithashtu shatërvanët privatë, instalimet për lojëra me ujë dhe pajisje të ngjashme private.
Ujitja e lëndinave dhe zonave të tjera të gjelbra është e ndaluar për qëllime private dhe jo komerciale, megjithëse fushat sportive përjashtohen nga ky rregull.
Qyteti ndaloi ujitjen e kopshteve shtëpiake dhe parcelave të vogla mes orës 09:00 dhe 19:00, përveç rasteve kur ato shërbejnë për qëllime komerciale ose publike, por zyrtarët bënë përjashtim për sistemet e ujitjes me pika që kursejnë ujë.
Larja e makinave jashtë lavazheve komerciale është gjithashtu e ndaluar, përveç rasteve kur kërkohet për sigurinë publike, siç është pastrimi i automjeteve të emergjencës.
Personat privat gjithashtu nuk lejohen të spërkasin me ujë tarraca, mure, rrugë dhe shtigje, përfshirë përdorimin e pastruesve me presion të lartë. Lagia e rrugëve të ndërtimit dhe kantierëve për të ulur pluhurin është e ndaluar, përveç rasteve kur kërkohet në mënyrë të posaçme nga autoritetet.
Qyteti njoftoi se shkeljet mund të dënohen me gjoba deri në 50.000 euro.

