Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur në Slloveni, në kuadër të punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një prononcim për mediat para nisjes së forumit, kryeministri Rama tha se ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza, ndërkohë që e bënin këtë sipas tij “kur ishin nën një regjim barbar”, duke shtuar për këtë çështje se “çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng dhe ky është një paradoks mjaft i rëndë dhe i turpshëm i kohëve tona.”
“Sa i takon dialogut midis tyre, e kam fjalën midis Kosovës dhe Serbisë, jam i bindur siç kam qenë se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë, kaq shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit. Mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje, por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si të arrihet aty. Ne jemi shumë më tepër pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi, duke marrë si shembull vende të tjera të cilat arritën të prodhonin histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja”, tha Rama.
Në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Rama theksoi se nuk është i sigurt që do të ketë një përshpejtim, në përgjithësi sipas tij për shkak të arsyeve gjeopolitike.
“Por dua të shpresoj që për shkak të arsyeve gjeopolitike, komuniteti i ri evropian politik i propozuar nga Macron dhe i shtjelluar nga Charles Michel, për të cilin po punojmë së bashku me qeverinë holandeze dhe unë me kryeministrin Rutte do të përshpejtojë. Është një ide shumë e rëndësishme dhe me shumë potencial”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama do të jetë pjesë e panelit të liderëve me temë “Rregulli i pushtetit apo pushteti i sundimit-E ardhmja e BE-së dhe sistemi shumë palësh i marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Në forum, përveç përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, marrin pjesë dhe liderë dhe zyrtarë të ndryshëm nga rajoni.