Diabolizmi i të parit të Iranit pas protestave krejt legjitime të një populli të keqqeverisur
Një dalje e Dritan Goxhajt në ditën e 23 të protestës, këtij ish-ushtari të UÇK për të lexuar kërkesat ndaj qeverisë, ka bërë që Edi Rama të ngjajë pikë për pikë me Berishën, me atë që është investuar gjithnjë verbalisht që të bëjë diferencën.
Goxhaj, gjithashtu dhe një ekspert ushtarak, arrestuar kohë më parë nga Prokuroria e Kosovës për llogari të Speciales famëkeqe ndaj UÇK-së, është njëherësh dhe kritik i sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit. Dhe si një zë anti-Rama në opinonin publik, u shfaq dhe si një zë i protestave më qytetare që po njeh Shqipëria.
Sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës. Në emër të grupit koordinues, duke dëgjuar propozimet e sovranit, dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe gjithë bashkëkombasit se kjo protestë kërkon:
Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:
ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.
Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:
Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, tha ai.
Dhe menjëherë pasoi Rama me stil berishist akuze: “…Nuk ka lidhje Irani ëëë…. Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim…”, shkroi ndër të tjera Rama në postimin e tij, sigurisht, pa dhënë asnjë fakt të lidhjes së Dritan Goxhajt me Iranin. Fiks si Berisha kur bën akuza, të cilat kurrë nuk i fakton ose argumenton.
Ndaj, Goxhajt i takon që ta hedhë në gjyq Ramën për të provuar akuzat që bën, siç Rama hedh në gjyq Berishën e të tijtë. Ndryshe, nuk shkon kjo punë.
Ndërkohë, dihet se pse Rama sheh vetëm Iran pas protestave: pasi mendon vetëm si izraelit! /tesheshi

