RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama kishte të drejtë: s’kemi parë asgjë akoma?!

rama-kishte-te-drejte:-s’kemi-pare-asgje-akoma?!

Shqipëria e “BE-së” në dokumente, Shqipëria e feudeve në praktikë

Edi Rama kishte të drejtë me batutën e tij në foltoren e Kuvendit disa vite më parë. Ndoshta për herë të parë duhet t’i japim të drejtë pa shumë kundërshtime: “Nuk kemi parë asgjë akoma!”. Sepse ajo që po shohim sot është vërtet e jashtëzakonshme.

SPAK-u ka vendosur nën masën “arrest në shtëpi” drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndërsa BKH ka kontrolluar banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Të dy emrat janë futur në orbitën e hetimit që lidhet me biznesmenin Ergys Agasi. Për Hysenin raportohen dyshime për përcjellje informacioni shtetëror, ndërsa për Prodën hetuesit kanë sekuestruar pajisje elektronike.

Këto janë pjesë e një hetimi në zhvillim dhe jo vendime përfundimtare fajësie. Por, nëse ka diçka që e bën këtë histori edhe më ironike, janë detajet që qarkullojnë prej ditësh rreth afërsisë së Hysenit me Agasin.

Përfshirë edhe raportimet se drejtoresha e SHISH-it është parë duke lëvizur me Audin luksoz të biznesmenit sekser të pushtetit. Nëse ky element konfirmohet nga hetimi, atëherë kemi kaluar nga “bashkëpunimi institucional” në një version shumë më shqiptar të shtetit: institucionet ruajnë sekretet, ndërsa miqësitë ruajnë transportin.

Dhe këtu Rama mund të dalë sërish në podium e të na flasë për “Shqipërinë evropiane”. De jure, Shqipëria është vend kandidat për në BE. Ajo ka hapur kapituj negociatash, kryen reforma, harton strategji, krijon institucione të reja, mban konferenca dhe fjalime për shtetin e së drejtës.

De facto, disa dosje të SPAK-ut po japin një pamje tjetër. Një shtet ku kufijtë mes politikës, biznesit dhe strukturave të sigurisë duken herë pas here aq të hollë, saqë interesi publik rrezikon të mbetet vetëm tabela në derë, ndërsa vendimet merren në dhoma ku hyjnë gjithmonë të njëjtët njerëz.

Dhe kjo është pjesa që duhet ta shqetësojë më shumë kryeministrin. Sepse Rama nuk mund të marrë vetëm medaljen kur Shqipëria hap një kapitull me Brukselin dhe pastaj të thotë “s’kam lidhje” kur SPAK-u troket në dyert e njerëzve që kanë drejtuar institucionet më të rëndësishme të shtetit.

Nuk është Rama ai që duhet të përgjigjet për çdo veprim individual të një zyrtari. Por është ai që ka drejtuar për vite sistemin politik që ka emëruar, promovuar dhe mbajtur në poste njerëzit në majat e administratës.

Prandaj pyetja është më e madhe se fati apo përgjegjësia individuale e Vlora Hysenit, Ilir Prodës apo Ergys Agasit. Çfarë lloj shteti kemi ndërtuar? Një republikë evropiane me institucione të pavarura? Apo një feud modern, i ndarë në disa pjesë, ku pak njerëz kanë akses te politika, biznesi, informacioni dhe strukturat shtetërore?

Në Bruksel mund të lexojnë raportet e progresit. Në Tiranë, qytetarët po lexojnë dosjet e SPAK-ut. Dhe ndoshta këtu qëndron ironia më e madhe e sloganit të Ramës. Po, zoti Kryeministër. Ndoshta vërtet nuk kemi parë asgjë akoma! /tesheshi

Related posts

Kurti pret që më 2 maj të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve

Muhamet Ramadani

18 vite shtet/ Seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani: Çdo përpjekje për të barazuar viktimën me agresorin minon paqen në rajon

admin

Përleshjet Tajlandë-Kamboxhia hyjnë në ditën e katërt, numri i të vdekurve rritet në 16

admin