RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama: Koha për armëpushim në Gaza, Turqia pjesë e vendeve garante për lirimin e pengjeve

rama:-koha-per-armepushim-ne-gaza,-turqia-pjese-e-vendeve-garante-per-lirimin-e-pengjeve

Kryeministri Edi Rama nga Ankaraja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e së nesërmes për Gazën dhe për Izraelin.

Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi rolin e rëndësishëm të Turqisë në konfliktin mes Izraelit dhe Gazës, por dhe konfliktit në Ukrainë.

“Si gjithmonë, e kam gjetur Presidentin të interesuar me gjithë zemër për ecurinë e rajonit tonë, për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dëshirën e tij që progresi dhe paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta”, tha Rama.

Duke sjellë në vëmendje konfliktin në Gaza, Rama tha se “është koha për një armëpushim i cili duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar në këndvështrimin tonë nga një forcë e përbashkët e pesë vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë”.

“Për ne, unë e kam ndarë me presidentin, Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë, së bashku me 5 vendet e tjera, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara, Jordaninë dhe Egjiptin. Natyrisht nëse ne ndajmë të njëjtën pikëpamje për domosdoshmërinë e dy shteteve kjo zgjidhje kërkon garancitë e veta dhe pa diskutim që një bashkim forcash i vendeve arabe me Turqinë në kushtet kur nevoja për garanci dhe për rikrijimin e një besimi pas masakrës së ndodhur ndaj njerëzve të pafajshëm në Izrael dhe pastaj i gjithë këtyre shkatërrimeve që kanë ndodhur është kaq e madhe saqë pa të do të jetë e pamundur që të ketë çfarëdolloj kthimi tek arsyeja”, theksoi Rama.

Në mbyllje të konferencës Rama falënderoi qeverinë e Turqisë për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha me Shqipërinë. “Dua të falënderoj pa diskutim dhe të gjithë ministrat që duke ndjekur frymën dhe drejtimet që u dhanë në mbledhjen e shkuar që ne bëmë këtu në Ankara, kanë garantuar që ky bashkëpunim të ketë një thellim jashtëzakonisht të rëndësishëm struktural dhe që të na japë shumë dëshirë për ta thelluar dhe shumë optimizëm për të ardhmen”, përfundoi Rama.

Related posts

SHBA, arrihet marrëveshje për rritjen e kufirit të borxhit

admin

Shpërthimi rekord i gripit të shpendëve, 48 milionë zogj të asgjësuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE

admin

Shefi i diplomacisë franceze do të realizojë një vizitë të paplanifikuar në Kajro mes negociatave për armëpushim

RTI