RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama, një kalorës triumfues apo një boksier i dërrmuar në cepin e ringut?

rama,-nje-kalores-triumfues-apo-nje-boksier-i-derrmuar-ne-cepin-e-ringut?

Kryeministri shtiret sikur nuk sheh goditjet që i vijnë nga të gjitha anët

Dje Edi Rama vendosi ta quante veten “kalorës”. Me ironi dhe vetëbesim, ai u përpoq t’i paraqiste kritikët si njerëz të pakënaqur, të cilët sipas tij ankoheshin jo për problemet e vendit, por për faktin se nuk ndodhen vetë në “shalën” e pushtetit.

Ishte një përpjekje e re për ta paraqitur veten si njeriun që vazhdon të kontrollojë gjithçka, ndërsa të tjerët mbeten peng të pakënaqësive të tyre. Por politika ka një rregull të thjeshtë: ajo nuk gjykon metaforat, por rezultatet.

Goditja e parë i erdhi nga vetë radhët e pushtetit. Pesëmbëdhjetë kryebashkiakë, shumë prej të cilëve ia detyrojnë karrierën e tyre mbështetjes së kryeministrit, dolën hapur kundër planit për ndarjen e re territoriale.

Për herë të parë pas shumë vitesh, brenda shumicës u dëgjua qartë zëri i kundërshtimit. Kjo nuk ishte një përplasje e zakonshme politike, por një sinjal se mekanizmi i bindjes së verbër ka nisur të shfaqë shenjat e para të konsumimit.

Më pas, në qendër të vëmendjes u rikthye çështja e Ermal Beqirit dhe skandali i lidhur me tenderët e AKSHI-t. Kjo histori mori një tjetër përmasë pas arrestimit të biznesmenit në Francë dhe publikimit të informacioneve mbi pasuritë e tij të jashtëzakonshme.

Çështja s’ka të bëjë më vetëm me akuza politike, por me dyshimet për ekzistencën e një rrjeti interesash dhe përfitimesh, të ndërtuar për vite me radhë nën hijen e pushtetit.

Më tej erdhi kundërshtimi i mikut të tij Nathaniel Rothschild ndaj projektit të Zvërnecit. Reagimi i tij nuk mund të shpërfillet lehtë, jo vetëm për shkak të emrit që ai përfaqëson, por edhe sepse i dha jehonë ndërkombëtare një debati që prej kohësh kishte kapërcyer kufijtë e zakonshëm të polemikës politike.

Në të njëjtën kohë, pakënaqësia qytetare ka filluar të bëhet gjithnjë e më e dukshme. Protestat, akuzat për mungesë transparence dhe kërkesat për llogaridhënie, kanë krijuar përshtypjen se hendeku midis qeverisë dhe qytetarëve po thellohet dita-ditës.

Dhe pikërisht atëherë, kur të gjitha këto zhvillime kishin filluar të krijonin idenë e një pushteti të lëkundur, erdhi goditja e fundit. Mohamed Alabbar, emri që për vite me radhë ishte paraqitur si simbol i transformimit të Durrësit dhe i ambicies së madhe ekonomike të qeverisë, vendosi të tërhiqej.

Për një kohë të gjatë, ky projekt ishte paraqitur si prova më e dukshme e suksesit të modelit të ndjekur nga qeveria. Tani, ai rrezikon të mbetet simboli i një premtimi që nuk u mbajt.

Kjo është arsyeja pse metafora e “kalorësit” duket sot më pak bindëse se kurrë. Një kalorës udhëheq, merr përgjegjësi dhe përcakton drejtimin.

Ndërkohë ai ngjan më shumë me një boksier që e ka marrë ndeshjen lehtë në fillim dhe që mezi përpiqet të qëndrojë në këmbë, ndërsa goditjet i mbërrijnë njëra pas tjetrës.

Dhe kjo është pyetja që shtrohet sot: a kemi ende përballë një kalorës, apo një boksier të dërrmuar në cep të ringut? tesheshi

Related posts

Abdixhiku: Nga nesër merremi me zgjedhjet nacionale, priten në fund të dhjetorit

admin

Kryediplomatja e Grenlandës pas takimit në Shtëpinë e Bardhë: Ditët e fundit kanë qenë të vështira

admin

Valë vd’ekjeprurëse e të nxehtit në Meksikë, 155 vi’ktima në tre muaj

admin