Ushtria izraelite dhe pushtuesit kryen 2.256 sulme kundër palestinezëve dhe pronave të tyre në Bregun Perëndimor të pushtuar muajin e kaluar, njoftoi një organ qeveritar palestinez, transmeton Anadolu.
Kreu i Komisionit Palestinez për Kolonizimin dhe Rezistencën ndaj Murit, Muayyad Shaaban tha në raportin mujor të këtij institucioni se 1.458 sulme u kryen nga ushtria izraelite dhe 798 nga kolonët në korrik.
Ai tha se sulmet e ushtrisë izraelite u përqendruan në Ramallah dhe Al-Bireh me 260 sulme, në Nablus me 247, në Jenin me 190, në Bethlehem me 185 dhe në Hebron me 170.
Shaaban theksoi se sulmet e pushtuesve në korrik shënuan “shifër rekord dhe të paprecedentë”, me 228 sulme të raportuara në Nablus, 212 në Hebron dhe 153 në Ramallah dhe al-Bireh.
Sipas tij, numri i sulmeve të kryera nga pushtuesit izraelitë arriti në 4.286 që nga fillimi i këtij viti.
“Sulmet e korrikut vranë shtatë palestinezë në Nablus dhe Ramallah e Al-Bireh, përfshirë katër persona që u vranë gjatë një sulmi në fshatin Tell, në perëndim të Nablusit”, tha ai.
“Pushtuesit shkulën, dëmtuan ose helmuan 5.027 pemë, përfshirë 3.241 pemë ulliri, kryen 440 sulme ndaj pronave dhe tokave bujqësore dhe kryen 23 incidente të konfiskimit ose vjedhjes së pronës palestineze”, shtoi ai.
Shaaban tha se pushtuesit izraelitë gjithashtu tentuan të krijojnë 29 pika të paligjshme kolonësh në korrik, kryesisht në Nablus, Ramallah dhe al-Bireh dhe Hebron.
Sipas raportit, autoritetet izraelite lëshuan 31 urdhra ushtarakë në korrik për konfiskimin e rreth 831 dynymëve (205,3 hektarë) tokë palestineze ndërsa kryen 80 operacione shembjeje që prekën 165 struktura, përfshirë 80 shtëpi të banuara.
Autoritetet izraelite shqyrtuan 26 plane ndërtimore për zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor dhe ndërtimin e 1.128 njësive të reja banimi në 1.172 dynymë (289,6 hektarë) tokë palestineze, thuhet në raport.
– Shembjet
Ndërkohë, ushtria izraelite sot shembi një shtëpi, një fermë kuajsh dhe dy struktura bujqësore në Bregun Perëndimor, me pretendimin se ishin ndërtuar pa leje.
Jihad al-Qaq, një aktivist lokal, i tha Anadolut se forcat izraelite bastisën zonën Jabal al-Asour në Kafr Malik në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor dhe shembën një shtëpi prej 140 metrash katrorë që ishte në ndërtim e sipër.
Ushtria izraelite gjithashtu rrafshoi një fermë kuajsh prej 460 metrash katrorë për shkak të mungesës së pretenduar të lejes së ndërtimit në Zonën C, tha ai. Sipas Marrëveshjes së Oslo II të vitit 1995, Zona C është nën kontroll të plotë izraelit dhe përbën rreth 60 për qind të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Në Nablus, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, burime të sigurisë dhe lokale i thanë Anadolut se automjetet ushtarake izraelite bastisën në agim qytetin Beit Dajan dhe shembën dy struktura bujqësore në pronësi të palestinezëve.
Sipas burimeve, shembjet shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në zonën e rrafshnaltës perëndimore të qytetit. Autoritetet izraelite kryejnë shembje intensive në Zonën C ndërsa palestinezët thonë se marrja e lejeve të ndërtimit atje është pothuajse e pamundur për shkak të kufizimeve izraelite.
Rreth 750 mijë kolonë jetojnë në 156 vendbanime të paligjshme dhe 360 pika kolonësh në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, sipas të dhënave palestineze.
Që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit në Gaza në tetor 2023, sulmet e ushtrisë izraelite dhe pushtuesve janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor, duke vrarë më shumë se 1.182 palestinezë, duke plagosur rreth 13 mijë dhe duke çuar në arrestimin e afro 24 mijë personave, sipas të dhënave zyrtare palestineze.
Palestinezët paralajmërojnë se Izraeli po përdor shembjet e shtëpive, konfiskimet e tokave dhe zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme për të hapur rrugën drejt aneksimit zyrtar të Bregut Perëndimor, duke minuar mundësinë e krijimit të një shteti palestinez sipas rezolutave përkatëse të OKB-së.

