Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me takimin informal ku ai nuk ishte i ftuar, që kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, realizoi me liderët e rajonit dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE), me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe miratimit të Deklaratës së Selanikut, transmeton Anadolu.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama shkruan se rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë “në rrugën tonë të përbashkët”, duke shtuar se beson se Greqia “ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e saj në BE”.
“Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq”, është shprehur Rama.
Rama shton se Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë dhe sipas tij, Mitsotakis është ftuar të marrë pjesë, duke shtuar se “nuk mund ta imagjinoja kurrë të ftoja në vend të tij presidenten greke, për të cilin kam edhe respektin më të madh”.
“Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore”, ka theksuar Rama.
Dje, Mitsotakis realizoi një takim informal me liderët e rajonit dhe zyrtarë të BE-së, ndërkohë u raportua se kryeministri grek kishte ftuar në këtë takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili nuk mori pjesë.
Kujtojmë se zyrtarë të ndryshëm nga Greqia dhe Shqipëria në javët e fundit janë përfshirë në debate dhe reagime në lidhje me çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili ndodhet në paraburgim.