RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Raport nga Londra: Shqiptarët nuk kanë nevojë për azil në Britani, vendi i tyre është i sigurt

raport-nga-londra:-shqiptaret-nuk-kane-nevoje-per-azil-ne-britani,-vendi-i-tyre-eshte-i-sigurt

Nuk është e vërtetë që një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë janë në rrezik në vendin e tyre dhe duhet të kërkojnë azil në Britani, tha një raport i publikuar të hënën nga Komiteti i Çështjeve të Brendshme, transmeton Anadolu.

Komiteti ndërpartiak i anëtarëve të parlamentit, i cili është përgjegjës për shqyrtimin e punës së Zyrës së Brendshme dhe organeve të lidhura me të, tha se shqiptarët janë të sigurt në vendin e tyre, me përjashtime.

Raporti vuri në dukje se disa shtetas shqiptarë që kërkojnë azil “do të jenë trafikuar, kurse gratë janë në rrezik në mënyrë disproporcionale nga kjo formë krimi”.

Mbështetja e viktimave të trafikimit është detyrim për qeverinë, tha komiteti, duke shtuar se këta njerëz duhet të kthehen në Shqipëri vetëm nëse ekzistojnë masat e duhura mbrojtëse.

Duke kujtuar se më shumë se një e katërta e 45.755 njerëzve që kaluan Kanalin Anglez me varka të vogla vitin e kaluar erdhën nga Shqipëria, raporti tha se kjo ishte një rritje nga 800 në 12.301, që ishte “e papritur dhe e pashpjegueshme”.

“Shqipëria është një vend i sigurt. Ajo nuk është në luftë dhe është vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nuk ka asnjë bazë të qartë që Mbretëria e Bashkuar të pranojë në mënyrë rutinore mijëra kërkesa për azil nga qytetarët shqiptarë”, theksohet në raport.

“Qeveria duhet të përmirësojë shpejtësinë e vendimmarrjes”

Deri në qershor 2022, 51 për qind e kërkesave për azil nga Shqipëria u pranuan fillimisht, thuhet në raport, gjë që ishte një numër “shumë më i lartë se shumë vende të krahasueshme evropiane”.

“Nëntë vende, duke përfshirë Gjermaninë, nuk pranuan asnjë kërkesë për azil nga Shqipëria. Zyra e Brendshme duhet të shpjegojë pse shkalla e pranimit në Mbretërinë e Bashkuar ishte kaq e lartë, veçanërisht në krahasim me vendet e tjera”, thuhet më tej.

Duke përmendur arsyet e numrit të lartë të shqiptarëve të gatshëm për të kërkuar azil në Britani, komiteti tha se shtytës kryesor i migrimit nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar është ai ekonomik.

Duke vënë në dukje se vetëm 325 viza pune iu dhanë shtetasve shqiptarë në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, raporti tregon se vështirësitë për të gjetur punë në Britani përmes mjeteve ligjore “mund t’i shtyjnë njerëzit drejt rrugëve klandestine të migrimit”.

Kryetarja e Komitetit të Çështjeve të Brendshme, Dame Diana Johnson, tha se qeveria “duhet të përmirësojë” shpejtësinë e vendimmarrjes dhe “të pastrojë punën e mbetur”, siç e parashtroi komiteti në raportin e tij të Kalimeve në Kanal (Channel Crossings) në vitin 2022.

“Ne presim që Zyra e Brendshme të përcaktojë se si planifikon ta arrijë këtë”, shtoi Johnson.

Në prill, qeveria britanike njoftoi se mbi 1.000 shtetas shqiptarë janë kthyer që nga nënshkrimi i një komunikate të përbashkët Britani-Shqipëri për trajtimin e migracionit të paligjshëm më 13 dhjetor.

Related posts

Dy palestinezë të vrarë dhe pesë të plagosur në sulmet izraelite në Gaza pavarësisht armëpushimit

Muhamet Ramadani

Greqia do të rifillojë negociatat me Izraelin për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore

admin

Kupa e Botës 2026 pritet të gjenerojë mbi 80 miliardë dollarë ndikim ekonomik global

Muhamet Ramadani