Forcat paramilitare sudaneze RSF po akuzohen për hapjen e varreve masive në qytetin El-Fasher, në rajonin e Darfurit të Veriut, me qëllim fshehjen e një masakre ndaj civilëve, raportoi Al Jazeera duke cituar ekspertë të Universitetit Yale.
Sipas burimeve, pas marrjes së kontrollit të qytetit më 26 tetor 2025, RSF ka filluar mbledhjen e trupave dhe varrosjen e tyre në zona të ndryshme për të “pastruar gjurmët e krimeve”. Dëshmitarë dhe organizata të të drejtave të njeriut raportojnë për ekzekutime pa gjyq, dhunë seksuale dhe vrasje masive.
Më shumë se 70 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga El-Fasher, ndërsa mijëra të tjerë janë të bllokuar në qytet pa ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor. Ekspertët paralajmërojnë se numri i viktimave mund të jetë më i madh se ai i dy viteve të para të luftës në Gaza.
Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kërkojnë qasje urgjente për hetim dhe ndihmë për civilët e mbetur në qytet. /mesazhi

