Lavd falënderimi i takon vetëm Allahut i cili e bëri Kur’anin udhëzimin për njerëzimin dhe shkak i lumturisë së tyre. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut që është Një, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim). Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O muslimanë!
Ai i cili sprovohet me varfëri dhe fukarallëk lumturinë e sheh në pasuri dhe tek pasanikët, ai i cili sprovohet me sëmundje dhe ligështi lumturinë e sheh në shëndetin e trupave dhe në shërimin e organeve, ai i cili sprovohet me padrejtësi dhe që nuk mundet t’i merr të drejtat e veta, lumturinë e sheh në pozitë e fuqi ose tek mbretërit e sundimtarët dhe ai i cili zemra e tij është e dehur dhe e dhënë pas epsheve e gjynaheve dhe pas fëlliqësirave e mëkateve lumturinë e sheh në pasimin e epshit dhe veprimin e fëlliqësirave dhe përhapjen e tyre.
Njerëzit gjithmonë hulumtojnë pas qetësisë shpirtërore, kërkojnë lumturi e kënaqësi dhe atë e përgjojnë në forcë e fuqi, në pasuri e liri dhe pozitë e sundim. Lumturia nuk gjendet në pasuri e fëmijë e as në fuqi e mbretëri dhe Allahu kur i përshkroi disa prej popujve tha: “Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë”. (Et-Teube: 55)
Të hulumtuarit pas pasurisë dhe pozitës shpirtrat i ndëshkon, zemrat i lodh, jetën e vështirëson dhe dhembje e mundime asaj i shkakton. Shpirti nuk kënaqet asnjëherë me pak e as nuk ngopet me shumë dhe për këtë i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Sikur biri i Ademit të ketë një luginë, do të kishte shpresuar ta ketë edhe një, dhe sikur të kishte dy lugina, kishte shpresuar ta ketë edhe të tretin, dhe nuk e ngop njeriun vetëm se dheu dhe Allahu ia fal atij që pendohet”. Dhe po ashtu ka thënë: “Kushdo që e bënë këtë botë synim të tij Allahu do t’ia përçajë punët e tij dhe do t’ia vendosë para syve të tij varfërinë dhe asgjë nuk do t’i vijë atij prej dynjasë përveç asaj çka e ka shkruar për të”.
Lumturia është gjë e cila nuk shihet me sy e as që krahasohet me numër dhe nuk blihet as me dërhem e as me dinar. Ajo është gjë që gjendet brenda në zemër, zemrën e gëzon dhe e qetëson, shpirtin e pastron, gjoksin e zgjeron, fytyrën e ndriçon dhe mendjen e rehaton. Ajo është ndjenjë e bukur që të gëzon dhe perceptim i ëmbël që të rehaton dhe shpirtin ta qetëson. Paramendoje një njeri të cilit Allahu i ka dhuruar pasuri e pozitë, por e ka sprovuar me sëmundje të rëndë. Atij ia sjellin ushqimin më të mirë, por nuk ka mundësi ta hajë, edhe nëse e ha nuk shijon asnjë shije në të. Ngrihet prej krevatit dhe shikon prej dritares së dhomës së tij dhe e vëren një prej punëtorëve të tij i cili është shtrirë nën hijen e një peme dhe në njërën dorë e mban copën e bukës e në tjetrën kripën dhe kënaqet duke e ngrënë atë ushqim të thatë. Sa shumë shpreson ky i mjeri ta kishte pas shëndetin e punëtorit të tij dhe ta kishte përjetuar lumturinë e tij.
Burimi i lumturisë është zemra, pamja e jashtme e saj është kënaqësia dhe argumenti i prezencës së saj është kuptimi i begative dhe njohja e tyre. Nuk ka më keq se kur një njeri lumturinë e tij e kërkon në epshet e dynjasë dhe kënaqësitë e saj dhe ai vet e di bindshëm se ato nuk janë të përhershme. Hulumtimi pas epsheve të dynjasë dhe kënaqësive të saj atij jetën ia shkatërrojnë, furnizimin ia pakësojnë, problemet ia shtojnë, e nxisin në harame dhe dëfrime, në urrejtje dhe armiqësi mes njerëzve dhe në fund ose nuk mundet ta arrijë atë që e do ose ajo e tradhton dhe jeta me përfundim të keq i përfundon.
Nuk mundesh të gjesh njeri i cili është i kënaqur me përcaktimet e jetës përveç atij i cili i beson Allahut dhe Atij i mbështetet. Jeta pa fe është e komplikuar dhe kjo dukuri shpie deri në çrregullime shoqërore dhe sëmundje shpirtërore, ku të sprovuarit jepen pas ilaçeve për qetësim madje pas drogës dhe alkoolit, Allahu na ruajt: “Ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. (El-En’am: 125); “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar”. (Ta Ha: 124)
Dynjaja tek besimtari nuk ka vlerë të madhe, ai e kupton se ajo nuk është tjetër përveç se një botë ku sprovohet në të dhe se ajo është vend mbjelljeje dhe se në të do të jetë një kohë të shkurtër dhe se pas saj e shpreson takimin me Allahun. Besimi është anija e tij kurse adhurimi mjeti i tij. Besimtarin gjithmonë e mbulon lumturia sepse ai është i bindur se jeta është e gjykuar me caktimet e Allahut, ai nuk pikëllohet për atë që kaloi dhe nuk gëzohet për atë që arriti, nuk dëshpërohet prej sprovave dhe belave dhe ato i kupton si mëshirë prej anës së Allahut e jo si dënim.
Lumturia nuk fitohet me ikje nga përgjegjësitë dhe me braktisjen e tyre, por ajo arrihet në ballafaqimin e jetës dhe qëllimeve të saj. Marrja e shkaqeve dhe përkujdesja e tyre janë faktorë kyç për arritjen e lumturisë dhe mbjelljen e kënaqësisë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Prej lumturisë janë: gruaja e mirë, vendbanimi i mirë dhe mjeti i mirë i udhëtimit”. Dhe po ashtu thotë: “Kush zgjohet prej jush në mëngjes dhe është i qetë në vatrën e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe e ka bukën për atë ditë, ai është sikur t’i jetë dhënë e tërë bota”.
Pasuria e realizon lumturinë nëse ti nëpërmjet saj e kërkon kënaqësinë e jetës hallall dhe nëse pasurinë nuk e merr si qëllim të jetës por e merr si mjet për ta arritur qëllimin kryesor dhe final e ajo është kënaqësia e Allahut dhe Xheneti i Tij. I lumturi nuk ha më shumë se sa hanë të tjerët dhe nuk posedon më shumë se sa posedojnë të tjerët por ai kënaqet më shumë se sa kënaqen të tjerët. Të lumturit janë besimtarë dhe punëtorë të zellshëm, Allahut i mbështeten, urtësive të Tij i binden dhe përcaktimeve të Tij i nënshtrohen. Kjo është lumturia e vërtetë dhe ajo e drejtë.
Prej burimeve të dëshpërimit dhe shkaqeve të pa lumturisë është papunësia, e cila është shkak i mbushjes së kafeneve e klubeve të dëfrimit dhe të rritjes së numrit të vrasjeve dhe vjedhjeve dhe krimeve në shoqëri. Prandaj është mirë që njerëzit të inkurajohen që të punojnë dhe t’u hapen mundësi pune që t’i paraqesin ambiciet e tyre dhe të përparojnë në jetën e tyre dhe kjo pa dyshim se ndikon në lumturinë e tyre dhe puna bëhet një faktor i madh dhe i rëndësishëm i saj. Po ashtu prej burimit të dëshpërimit dhe të moslumturisë është injoranca dhe padituria. Injorantët është shumë rëndë të udhëhiqen dhe të udhëzohen dhe të qetësohen: “Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”. (El-Kasas: 55) Njerëzit e ditur shumë lehtë munden ta kuptojnë të vërtetën dhe të dobishmen dhe atë çka kërkohet prej tyre dhe t’i përgjigjen asaj, prandaj injoranca bëhet një prej faktorëve kyç të dëshpërimit dhe pikëllimit.
Po ashtu një prej faktorëve të lumturisë është edhe edukata e mirë dhe morali i lartë. Vendi më i mirë ku përfitohet edukata e mirë dhe morali i lartë është shtëpia dhe shkolla, vende të cilat duhen që ta edukojnë njeriun të pajiset me durim, sinqeritet, besim, vepër, përpjekje, butësi, nder, turp dhe zgjerim të gjoksit: “Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin) dhe ta hoqëm barrën, e cila ta rëndonte tepër kurrizin”. (El-Inshirah: 1-3) Kjo edukatë duhet që njeriun ta edukojë ta adhurojë Allahun dhe ta falënderojë Atë dhe ta përmend Atë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut”. (Er-Ra’d: 28), dhe “Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kur’ani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm”. (Ez-Zuhruf: 36) Kjo edukatë duhet që ata t’i largojë prej urrejtjes dhe smirës dhe t’ua mbushë zemrat me dashuri ndaj njerëzve dhe ta edukojë që ta lut Allahun për mëshirë dhe mirësi për vete dhe për të gjithë njerëzit: “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë”. (En-Nisa: 32)
O ti musliman, ti do të bëhesh i lumtur atëherë kur do ta njohësh vetveten dhe lumturinë ta kërkosh prej vetvetes e jo prej atyre që i ke përreth. Bëhu i lumtur me besimin tënd dhe moralin tënd dhe dashurinë ndaj njerëzve, bëhu i lumtur nëse je me Zotin tënd dhe i falënderon begatitë dhe bën durim në sprova dhe bela se atëherë do të përfitosh në të dyja rastet dhe do të kesh shpërblime në të dyja botët.
Po ta kishin ditur të palumturit prej pasanikëve e sundimtarëve dhe jobesimtarët e munafikët se çfarë lumturie shijojnë besimtarët do t’i kishin luftuar ata me shpatë. Madje ateistët kur i panë besimtarët se janë të lumtur, të qetë e të bindur, prej injorancës dhe neglizhencës së tyre menduan se besimtarët janë të mpirë prej fesë. Të shkretët nuk e dinë se besimtarët janë të bindur se edhe nëse të gjithë banorët e tokës dhe qiejve mblidhen për t’i ndihmuar ndonjërit me diçka, nuk munden t’i ndihmojnë vetëm se atë që Allahu e ka caktuar për atë, dhe nëse mblidhen për t’i bërë dëm diçka, ata nuk mund t’i bëjnë dëm, vetëm atë që Allahu e ka caktuar për atë.
Besimtarët besojnë se qielli nuk lëshon as dinar e as dërhem dhe se në fenë e tyre besimi ka ardhur paralel me veprën. Furnizimi vjen vetëm se prej Allahut dhe kënaqu me atë çka të ka caktuar Allahu pa futur dëshpërim në zemrën tënde e as urrejtje e cila e shkatërron zemrën tënde e as smirë e cila të dëmton ty dhe i ha të mirat e tua. Kjo botë është vend ku duhet të mbjellim prandaj vepro që të korrurat e tua t’i shohësh në ahiret. Sëmundja është sprovë dhe në të ka urtësi të madhe dhe dije se shërimi është i ndërlidhur me ilaçin dhe se ai vjen vetëm se prej Allahut dhe me lejen e Tij. Nëse ec sipas kësaj rruge atëherë do ta gjesh lumturinë dhe do të zbrit mbi ty qetësi e rehati.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në zemër ka shpupurisje të cilën nuk mundet ta grumbullon vetëm se afrimi kah Allahu. Në zemër ka egërsirë që nuk mundet ta largojë vetëm se shoqërimi me Allahun. Në zemër ka pikëllim të cilin nuk mundet ta largon vetëm se gëzimi me njohjen e Allahut dhe sinqeriteti në sjelljet me Allahun. Në zemër ka shqetësim që nuk mundet ta qetëson vetëm se ikja kah Allahu. Në zemër ka skamje e varfëri që nuk mundet ta plotësojë vetëm se dashuria ndaj Allahut, përmendja e vazhdueshme e Tij, mbështetja në Atë dhe adhurimi i sinqertë i Tij. Në zemër ka hidhërim dhe brenga që nuk mundet t’i fik vetëm se kënaqësia me urdhëresat dhe ndalesat e Allahut dhe durimi në caktimet e Tij deri atë ditë kur ta takojmë Allahun”.
Shejh Dr. Salih El Humejd
Nga arabishtja: Irfan JAHIU