RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Rifillojnë negociatat mes Hamasit dhe Izraelit”

“rifillojne-negociatat-mes-hamasit-dhe-izraelit”

Negociatat midis grupit palestinez Hamas dhe Izraelit mbi armëpushimin dhe bisedimet për shkëmbimin e pengjeve kanë rifilluar, transmeton Anadolu.

Kanali privat egjiptian Cairo News Channel raporton se “negociatat e armëpushimit rifilluan përmes takimeve në nivel specialistësh të mbajtura në Doha, ndjekur nga takimet në Kajro”.

Mbrëmë vonë, sipas mediave izraelite, Kabineti i Luftës i Izraelit vendosi të dërgojë një delegacion në Katar për të zhvilluar bisedime mbi një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me grupin palestinez Hamas.

Të premten, një delegacion izraelit mori pjesë në bisedimet e negociatave në kryeqytetin francez Paris për të arritur një marrëveshje të shkëmbimit të pengjeve me Hamasin.

Gjatë bisedimeve nuk u arrit asnjë marrëveshje, megjithatë mediat izraelite dje raportuan se delegacioni negociator izraelit u kthye nga Parisi dhe foli për “negociata të mira dhe një atmosferë pozitive”.

Paraprakisht një armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit u arrit për një javë nga 24 nëntori deri më 1 dhjetor, i ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, gjatë së cilës armiqësitë u ndërprenë, të burgosur u shkëmbyen dhe ndihma humanitare jashtëzakonisht e kufizuar u dorëzua në Gaza.

Sipas burimeve nga të dyja palët, Izraeli beson se 134 izraelitë mbahen ende në Gaza, ndërsa në burgjet izraelite mbahen të paktën 8.800 palestinezë.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë mbi 29.690 palestineze, ka plagosur rreth 70 mijë të tjerë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Armiqësitë kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë, megjithatë edhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare.

Related posts

Erdoğan inauguroi Xhaminë e restauruar Sultanahmet në Stamboll- VIDEO

rezart morina

Historia e pazakontë e vogëlushes në Turqi: Nën rrënoja më ushqeu një burrë mjekërbardhë

rezart morina

Rusia arreston 3 të dyshuar të tjerë për përfshirje në sulmin në sallën e koncerteve në Moskë

RTI