Korrespondenti i BBC Allan Little: Ishte që atehere fanatik dhe i rrezikshëm
Gazetari i BBC-së, Allan Little, kujton takimin e tij me Ratko Mlladiçin në muajt e parë të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe atë që pa nga afër: dëbime, frikë, urrejtje dhe një luftë që shumë shpejt do të shndërrohej në një nga kapitujt më të errët të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Në mbrëmje, në Bosnje mund të shihje zjarret e spastrimit etnik që ndriçonin errësirën. Fshatrat digjeshin dhe, nën qiellin e zi, flakët ishin shpesh e vetmja dritë që tregonte se çfarë po ndodhte në terren.
Në një mëngjes, Allan Little pa një varg burrash dhe grash që dilnin nga një pyll. Ata ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dy ditë më parë dhe kishin marrë me vete vetëm aq sa mund të mbanin.
Rreth 40 mijë njerëz po largoheshin nga vendbanimi i tyre, i cili kishte rënë nën kontrollin e forcave serbe.
Mes tyre ishte një burrë rreth 80 vjeç, i rraskapitur dhe i plagosur. Ai i tregoi gazetarit se ishte ndarë nga gruaja gjatë arratisjes dhe nuk e dinte nëse ajo kishte arritur të shpëtonte.
Little e pyeti nëse ishte kroat apo boshnjak. Përgjigjja e burrit e ka përndjekur gazetarin për vite: “Jam muzikant!”.
Ishte një përgjigje që ekspozonte absurditetin e një lufte ku njerëzit reduktoheshin në etiketa etnike, ndërsa në të vërtetë ishin mjekë, shkencëtarë, fermerë, muzikantë, prindër, fëmijë dhe njerëz me jetë të zakonshme.
Little e takoi Mlladiçin në verën e parë të luftës, në kazermat e Lukavicës, në jug të Sarajevës. Aty kishte armë me shumicë dhe paramilitarë që lëviznin kërcënueshëm. Një kallashnikov kushtonte rreth 200 dollarë, ndërsa një granatë dore vetëm një dollar.
Takimi me Mlladiçin i la gazetarit një përshtypje që nuk do ta harronte. Gjenerali serbo-boshnjak i shtrëngoi dorën dhe e tërhoqi pranë vetes, duke i thënë se sapo ishte kthyer nga fronti në qendër të Sarajevës.
Ishte i elektrizuar nga afërsia me luftimet. Mlladiçi foli për veten si mbrojtës të “vëllazërisë dhe unitetit” të Jugosllavisë dhe tha se ëndërronte një botë pa armë e pa luftë.
Por Allan Little thotë se që në atë takim e perceptoi si një njeri fanatik, madje në mënyrë të rrezikshme.
Në vitet që pasuan, forcat nën komandën e Mlladiçit kryen krimet më të rënda të luftës në Evropë që nga koha e nazizmit: vrasje masive, përdhunime, dëbime me forcë dhe shkatërrim të fshatrave. Termi “spastrimi etnik” u bë një nga shprehjet më të errëta të luftërave të Ballkanit.
Kulmi i kësaj fushate ishte Srebrenica, ku forcat serbe të Bosnjës kryen gjenocid ndaj mijëra myslimanëve boshnjakë.
BBC thekson s kujtimi i Little nuk lidhet vetëm me viktimat e panumërta, por edhe me humbjen personale që ai përjetoi gjatë luftës. Kameramani i tij, Tihomir Tunukoviç, 25 vjeç, u vra nga një ushtar serb ndërsa udhëtonte në një rrugë malore. Ata kishin punuar bashkë për rreth 18 muaj.
“Gjenerali Mlladiç nuk e tërhoqi vetë këmbëzën”, shkruan Little, “por komanda e tij krijoi një atmosferë lejueshmërie të shfrenuar që i kushtoi jetën dhjetëra mijëra njerëzve”. tesheshi

