Ka mbërritur në të paktën 1430 numri i vdekjeve nga dy tërmetet e fuqishme që kanë goditur Venezuelën të mërkurën. Shifrat e fundit u bënë të ditura në mbrëmje, teksa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë luftën për të nxjerrë të gjallët e ngujuar. Familjet kanë raportuar për rreth 70 mijë persona të zhdukur, pas tërmeteve të fuqishme me 7.2 dhe 7.5 shkallë të Rihterit.
Duke përdorur çekiçë e mjete elektrike për të prerë pllakat e betonit, venezuelasit po përpiqen të nxjerrin familjarët nga rrënojat e shumë ndërtesave të shembura në zonën La Guaira.
E tensionet janë rritur kundër autoriteteve. Qytetarë të shumtë po ankohen se ushtarët, zjarrfikësit, policët e kadetët nuk po tregohen të përgatitur për t’iu përgjigjur ngjarjes.
Punonjës të ekipeve të shpëtimit kanë treguar se po ballafaqohen me vështirësi në nxjerrjen e qytetarëve të bllokuar.
“Është shumë komplekse. Shembjet janë shumë të ndërlikuara. Për shembull, nëse e shihni atë kuti atje, ai është ashensori dhe ajo që po shohim është tavani”, ka thënë Julio Bojaca, punonjës kolumbian i shpëtimit.
E, presidentja në detyrë e Venezuelës ka thënë ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën në zonat më të goditura.
“Populli venezuelas është bashkuar në solidaritet për të ndihmuar fqinjët, miqtë, anëtarët e familjes dhe madje edhe të huajt. Në të vërtetë, në mes të kësaj tragjedie, edhe një i huaj bëhet vëlla ose motër për secilin prej nesh”, ka thënë Delcy Rodriguez.
Koordinatorja e ndihmave në Kryqin e Kuq, Loyce Pace, ka thënë se lëkundjet e shpeshta po rrezikojnë si ekipet e shpëtimit ashtu edhe banorët e zonave të prekura.
“Nuk e di nëse njerëzit e kuptojnë sa i vazhdueshëm ka qenë ky kërcënim. Ka pasur lëkundje pothuajse gjatë gjithë kohës dhe kjo është mjaft e frikshme”, ka rrëfyer ajo për CNN.
Pace ka paralajmëruar se edhe banorët duhet të jenë të kujdesshëm para se të rikthehen në shtëpitë e tyre, pasi shumë ndërtesa kanë pësuar dëmtime serioze dhe ekziston rreziku i shembjeve të tjera.
Venezuelas të shumtë qanin në dënesë teksa shihni familjarë që nxirreshin të vdekur nga rrënojat. Omar Guariato po festonte ditëlindjen e 5-të të mbesës së tij në shtëpi kur filluan dridhjet. Teksa ishte ulur në një kamp për persona të zhvendosur në La Guaira të goditur rëndë, ai ka kujtuar momentin kur shtëpia ngjitur u shemb.
“Shtëpia ime nuk u shemb, por pastaj kur vajza ime doli të kërkonte fëmijën e saj, shtëpia ngjitur, e cila është tre kate e lartë, u shemb dhe ra mbi të. E mbuloi, ajo mbeti e bllokuar”, ka kujtuar ai.
Vende nga e gjithë bota kanë nxituar të ofrojnë mbështetje humanitare dhe për të dërguar ekipe kërkim-shpëtimi në Venezuelë, në mënyrë që t’i ndihmojnë autoritetet lokale në gjetjen dhe shpëtimin e banorëve të zënë nën rrënoja. Tërmeti i fundit mendohet të jetë më i madhi që ka goditur vendin në më shumë se një shekull. /koha

