Para vizitës së mundshme në Tajvan të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, është rritur gatishmëria ushtarake e forcave të armatosura të SHBA-së dhe Tajvanit në rajon
Para vizitës së mundshme në Tajvan të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, është rritur gatishmëria ushtarake e forcave të armatosura të SHBA-së dhe Tajvanit në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve të mediave të Tajvanit, ushtria e Tajvanit në urdhrin që ka lëshuar ka shpallur gjendje vigjilence për të gjitha forcat ndaj kërcënimeve nga pala kineze nga ora 08:00 deri në orën 12:00 të së enjtes me kohën lokale.
Gazeta “Liberty Times”, në lajmin e saj të bazuar në burimet ushtarake të Tajvanit, pretendon se avioni i Pelosi-t, pritet të hyjë në hapësirën ajrore të Tajvanit nga lindja e ishullit dhe të ulet në aeroportin Songshan në Taipei në orën 22:20 me kohën lokale.
Për këtë shkak, 8 avionë të tjerë u dërguan për të mbështetur 4 avionë luftarakë “Mirage-2000” në bazën ajrore Taitung në Tajvanin lindor, tha gazeta.
Ndërkaq, gazeta “United Daily News”, në lajmin e bazuar në burimet ushtarake, u kërkoi forcave të ushtrisë të rrisin aktivitetet e tyre të zbulimit në ngushticën e Tajvanit dhe të shkurtojnë kohën e përgatitjes për luftime në rast konflikti.
Ministria tajvaneze e Mbrojtjes ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen.
– Dy aeroplanmbajtëse të Kinës u larguan nga portet
E përditshmja kineze “Global Times”, organi i Partisë Komuniste të Kinës, raportoi se dy aeroplanmbajtëse në detyrë aktive në Marinën e Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze kanë lënë portet e tyre dhe janë nisur në det të hapur.
Duke vënë në dukje se aeroplanmbajtësja Liaoning, e vendosur më afër Tajvanit, shoqërohej nga një anije sulmi amfibe e klasës “Type 075”, gazeta tërhoqi vëmendjen se aktiviteti përkoi me vizitën e mundshme të Pelosi-t.
Pamjet e autokolonave ushtarake kineze që lëvizin përgjatë autostradave të provincës Fujian në breg përballë Tajvanit u postuan në rrjetet sociale.
– Luftanija amerikane në jug të Tajvanit
Pas pretendimeve se Pelosi do të vizitonte ishullin, u raportua se luftanija “Ronald Reagan”, e cila u largua nga Singapori me flotën e saj luftarake në fillim të javës së kaluar, ka arritur në Detin e Kinës Jugore, duke lundruar në juglindje të Tajvanit.
Ueb-faqja e lajmeve pranë Institutit Detar të SHBA-së, “USNI News”, theksoi se anija, e cila shërben në Flotën e 7-të në Paqësor, kaloi ngushticën e San Bernadino-s në Filipine dhe u hap dje në Detin e Filipineve.
Gjithashtu ueb-faqja njoftoi se anijen e shoqëron edhe një anije sulmi amfibe që transporton marinsat.
– Pretendimi se do të vizitojë Tajvanin shkaktoi tensione
Pretendimet se Pelosi do të vizitojë Tajvanin si pjesë e udhëtimit shkaktoi tensione në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Ministria kineze e Mbrojtjes, brenda javës paralajmëroi se në rast të realizimit të vizitës së Pelosi-t mund të jepet përgjigje ushtarake, duke theksuar se “Në rast se Pelosi viziton Tajvanin, ushtria kineze nuk do të qëndrojë duarkryq”.
“Jemi të gatshëm për çdo mundësi. Në rast se pala amerikane këmbëngul në vizitë, do të marrim masa të fuqishme dhe vendimtare për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Ministria e Jashtme kineze.
Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Tajvani nuk ishte përfshirë në ndalesat e turit, ku përfshihej Singapori, Malajzia, Koreja e Jugut dhe Japonia.
– Vizita e planifikuar në prill ishte anuluar
Vizita e planifikuar e 82-vjeçares Pelosi në Tajvan në prill u anulua me arsyetimin se ajo u infektua me COVID-19.
Kryediplomati kinez, Wang Yi, në atë kohë kishte paralajmëruar se vizita e Pelosi-t në Tajvan do të thotë “kalim i vijës së kuqe” të përcaktuar nga parimi “Një Kinë”.
Në rast të realizimit të vizitës, Pelosi do të jetë kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që viziton ishullin pas 25 vitesh. Më parë në vitin 1997, Newt Gingrich kishte vizituar Tajvanin përderisa ishte në këtë detyrë. /aa