Zv/ministri rus i Punëve të Jashtme, Alexander Grushko, ka njoftuar se do të forcojnë potencialin e tyre ushtarak në perëndim dhe veriperëndim kundër anëtarësimit të Finlandës në NATO, transmeton Anadolu.
Për agjencinë ruse të lajmeve ‘Ria’, Grushko foli lidhur me anëtarësimin e Finlandës në NATO. Ai theksoi se Rusia do të ndërmarrë hapat e nevojshme kundër kësaj.
“Do të forcojmë potencialin tonë ushtarak në perëndim dhe veriperëndim. Në rast se mjetet dhe forcat ushtarake të vendeve të tjera të NATO-s vendosen në Finlandë, do të ndërmarrim hapa shtesë për të siguruar në mënyrë të fortë sigurinë ushtarake të Rusisë”, tha Grushko.
Proceset e ratifikimit të 30 vendeve të NATO-s përfunduan me miratimin nga Parlamenti i Türkiyes të protokolleve të anëtarësimit të Finlandës, e cila aplikoi për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar se nesër do të shpallë Finalndën si anëtaren e 31-të dhe se flamuri i saj do të vendoset në selinë e NATO-s.