RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëri, fillon Forumi Ndërkombëtar i Turizmit

shqiperi,-fillon-forumi-nderkombetar-i-turizmit

Në Shqipëri ka filluar Forumi Ndërkombëtar i Turizmit, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Shqipëria dhe vende të tjera dhe përfaqësuesve nga Bashkimi Evropian (BE), raporton Anadolu.

Forumi i cili mbahet në datat 3-5 prill në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, organizohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit (UNWTO), ndërsa në forum do të diskutohet për tema lidhur me turizmin e qëndrueshëm, trendet e së ardhmes së tij dhe strategjitë e zhvillimit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha gjatë fjalës në ceremoninë e hapjes së forumit se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.

“Në këtë konventë ndërkombëtare të turizmit ndihuni zotër në shtëpinë tonë. Shijojeni sa të mundeni dallimin e skajshëm mes sterotipit të Shqipërisë në mediat tuaja dhe perceptimit të vetë shqisave tuaja, për vendin krejt tjetër ku keni ardhur sot. Ju siguroj që ky që shikoni, është i vërteti”, tha Rama, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në ceremoni.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, njëkohësisht drejtues i Agjendës së Gjelbër Europiane, Frans Timmermans, theksoi se me sfida të ndryshme Shqipëria ka ruajtur kursin e saj. Ai shtoi se Shqipëria në një të ardhme të afërt do të bëhet një anëtare krenare e Bashkimit Evropian.

“Ndoshta nuk do të jeni më luksozët sepse ka vende të cilat kanë dekada e dekada avantazhe karshi jush duke ndërtuar këtë industri luksoze të turizmit, por mund të jeni vendi më novator, më i ndërgjegjshëm ndaj turizmit, mund të krijoni një markë të re turistike e cila mund të tërheqë një markë të re turistësh, mund të bëjë që turistë të tjerë të shikojnë në një drejtim tjetër dhe kjo është një mundësi për Shqipërinë”, tha Timmermans, duke iu drejtuar zyrtarëvë shqiptarë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, u shpreh se po krijojnë një model unik të turizmit.

“Shqipëria është si ajo amvisa e mirë që shtëpinë e ka të vogël, por plot me kuti thesaresh. Çdo kuti të befason sa herë e hap. Shqipëria ka të tjera kuti thesaresh, trashëgimi kulturore, pasuri botërore të UNESCO-s, kala mesjetare dhe parqe arkeologjike, ku takohen të gjitha kulturat, nga Lindja në Perëndim”, tha Kumbaro.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, tha se sektori i turizmit ka bërë shumë progres për t’u bërë më i qëndrueshëm, por sipas tij duhet të bëjnë shumë më tepër. “Shqipëria duhet të mbështetet në turizmin e qëndrueshëm për të tërhequr turistë dhe për të zhvilluar ekonominë e vet”, theksoi Pololikashvili.

Pololikashvili gjatë fjalës së tij shprehu ngushëllimet për popullin e Türkiyes dhe Sirisë për tërmetet e muajit shkurt.

Në forum do të marrin pjesë përfaqësues të ministrive të turizmit nga disa vende, përfaqësues të organizatave të ndryshme, si dhe do të ketë dhe takime të ndryshme bilaterale.

Ndërkohë, në kuadër të forumit, kryeministri Rama ka realizuar takime të ndara me zëvendëspresidentin e KE-së, Timmermans dhe sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Pololikashvili.

Related posts

I dërguari palestinez i OKB-së parashtron mangësitë e rezolutës së Këshillit të Sigurimit

rezart morina

Xhamia e Madhe Ajasofja dekorohet për muajin e Ramazanit

admin

Koreja e Veriut: Komuniteti ndërkombëtar “i shqetësuar” për furnizimin e SHBA me raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

admin