Raketat që shënjestruan qytetet në rajon javën e fundit shkaktuan dëme të konsiderueshme në shkollat, shtëpitë, bizneset, tregjet, zonat industriale dhe strukturat e tjera në rajon
Rusia raportohet se ka intensifikuar sulmet e saj ajrore ndaj vendbanimeve në rajonin lindor ukrainas Donetsk, një nga frontet kryesore të luftës, raporton Anadolu Agency (AA).
Sulmet ajrore ruse vazhdojnë gjithnjë e më shumë në qytetet ukrainase Bakhmut, Kramatorsk, Chasiv Yar, Slovyansk dhe Kostyantynivka, si dhe fshatrat përreth në rajonin Donetsk.
Raketat që shënjestruan qytetet Bakhmut, Kramatorsk dhe Kostyantynivka javën e fundit shkaktuan dëme të konsiderueshme në shkollat, shtëpitë, bizneset, tregjet, zonat industriale dhe strukturat e tjera në rajon.
Shpërthime të reja ndodhën në Bakhmut, Kramatorsk dhe Kostyantynivka të dielën mbrëma dhe në orët e hershme të së hënës, tha për AA kreu i policisë në qytetin Bakhmut, Pavlo Diachenko.
Ai tha se ditët e fundit gjithashtu janë shtuar sulmet ajrore ndaj vendbanimeve dhe strukturave civile nën kontrollin e ushtrisë ukrainase.
Situata në vijën e frontit në Donetsk nuk ka ndryshuar shumë vitet e fundit. Qyteti Bakhmut është rreth 12-15 kilometra nga pikat ku vazhdojnë përleshjet intensive, shtoi Diachenko.
Ai tha se raketat e lëshuara nga forcat ruse goditën ndërtesat e shkollave në Bakhmut dhe Kostyantynivka, lokacione në të cilat të dielën iu shpërnda ndihma humanitare civilëve.
“Sulmet ajrore në këtë rajon janë shtuar. Një sulm u krye gjithashtu në tregun në Bakhmut”, shtoi ai.
Ndërkohë, një raketë e lëshuar nga forcat ruse thuhet se ka shpuar çatinë e një shtëpie dhe ka përfunduar në dhomën pa shpërthyer.
Pronarët e shtëpive u thanë gazetarëve se raketa u neutralizua nga autoritetet ukrainase. /aa