RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rusia intensifikon sulmet ndaj Ukrainës në prag të festës kombëtare

rusia-intensifikon-sulmet-ndaj-ukraines-ne-prag-te-festes-kombetare

Rusia ka nisur një valë të re të sulmeve me dronë, raketa dhe sulme ajrore ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase, thanë zyrtarët më 8 maj. Moska po rrit sulmet teksa po përgatitet për Ditën e Fitores, që shënon mposhtjen e Gjermanisë Naziste nga sovjetikët më 1945.

Të paktën 16 sulme me raketa kanë goditur qytetet në rajonin e Harkivit, Hersonit, Mikolajivit dhe Odesës, ndërkaq 61 sulme ajrore dhe me 52 breshëri raketash kanë goditur pozicionet ukrainase në zonat e banuara, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 8 maj.

Mbrojtja ajrore ukrainase ka shkatërruar 35 dronë të prodhimit iranian, Shahed, që Rusia ka lëshuar drejt territorit të Ukrainës, tha ushtria.

Kryetari i Kievit tha se të paktën pesë persona janë plagosur në kryeqytetin ukrainas, pas dëmtimeve të shkaktuara në një depo karburantesh, por edhe sulmeve ndaj makinave, ndërtesave dhe infrastrukturës.

“Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e civilëve. Ndërtesa të larta dhe shtëpi private, por edhe infrastruktura tjetër civile është dëmtuar”, tha ushtria.

Një depo ushqimesh u përfshi nga flakët në qytetin Odesa në Detin e Zi.

Sulmet e reja pasuan përgatitjet e Moskës për të shënuar të martën Ditën e Fitores, përmes një parade. Kjo ngjarje është kyçe për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili ka ngjallur shpirtin e triumfit sovjetik mbi Gjermaninë Naziste, duke akuzuar Ukrainën se është përfshirë në një lloj të ri të fashizmit.

Ukraina dhe aleatët e saj kanë thënë se këto akuza janë të pabaza dhe janë përdorur si pretekst nga Rusia për të nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ky pushtim ka rezultuar me konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke lënë të vrarë mijëra njerëz dhe duke detyruar miliona persona të tjerë që të largohen nga shteti.

“Ne gjithmonë duhet të përgatitemi për tradhtinë e armikut dhe mbrojtjen”, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes të Ukrainës, Hanna Malyar, përmes një postimi në Telegram.

Rusia, po ashtu, ka intensifikuar sulmet ndaj Bahmutit, duke shpresuar se mund të marrë kontrollin e këtij qyteti deri të martën, tha një gjeneral ukrainas që po udhëheq mbrojtjen e këtij qyteti. Këto komente u bënë pasi grupi mercenar rus, Wagner, duket se ka hequr dorë nga tërheqja e trupave nga ky qytet.

Tre persona janë plagosur nga shpërthimet në qarkun Solomianski të Kievit, kur pjesë të dy dronëve të qëlluar nga mbrojtja ajrore ukrainase ranë mbi këtë zonë, tha kreu i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko.

Administrata ushtarake në Kiev tha se pjesët e dronëve ranë mbi pistën e aeroportit Zhuliani, një prej dy aeroporteve civile në Kiev.

Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore janë dëgjuar edhe në rajonet jugore të Hersonit dhe Zaporizhjës, ku raportohet edhe për shpërthime.

Vladimir Rogov, një zyrtar në Zaporizhja i instaluar nga Moska, tha se forcat ruse kanë goditur një depo dhe pozicionet e ushtrisë ukrainase në qytetin e vogël të Orihivit.

Po ashtu, forcat ruse kanë granatuar tetë pozicione në Sumi, në verilindje të Ukrainës, thanë autoritetet ukrainase.

Sulmet ndaj caqeve ruse janë intensifikuar në dy javët e fundit, veçmas në Krimenë e aneksuar paligjshëm nga Moska.

Ukraina ende nuk ka konfirmuar se ka ndonjë rol në këto sulme, por ka thënë se ka shkatërruar infrastrukturën e armikut, teksa forcat e saj po përgatiten për një kundërofensivë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku /rel

Related posts

Sytë ishin nga Brukseli/ Kosova dhe Serbia pa marrëveshje për dinarin

admin

Erdoğan: Kurrë nuk do të harrojmë solidaritetin e të gjithë miqve tanë në këto ditë të vështira

rezart morina

Situata në veri – ekspertët bëjnë thirrje për anëtarësimin në NATO, Ballkani vatër “zjarri”

admin