Sistemi rus i mbrojtjes ajrore rrëzoi dy dronë të armatosur që ishin në drejtim të kryeqytetit, njoftoi të martën kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në rrjetin Telegram, Sobyanin tha se një nga dronët u shkatërrua në afërsi të autostradës Minskoye dhe tjetri në zonën e Domodedovo. Ai vuri në dukje se nuk pati të lënduar nga mbetjet e dronit dhe se autoritetet po punonin në vendin e ngjarjes.
Autoritetet ruse raportuan se Ukraina kreu sulme me dron ndaj Moskës më 24, 28 dhe 30 korrik dhe 1 dhe 6 gusht dhe nuk pati viktima apo të plagosur.
Numri i sulmeve me dron në territorin rus është rritur në mënyrë dramatike muajt e fundit. Megjithatë, javët e fundit, vërehet përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i anijeve pa pilot.
Megjithëse, Kievi nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha javën e kaluar se sulmet në territorin rus janë një “proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë”.