RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Samiti i G20 në Indi pa pjesëmarrjen e presidentëve të Kinës dhe Rusisë

samiti-i-g20-ne-indi-pa-pjesemarrjen-e-presidenteve-te-kines-dhe-rusise

Samiti i 18-të i Liderëve të vendeve të G20, që bashkon 20 ekonomitë më të mëdha të botës, do të mbahet më 9-10 shtator në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, raporton Anadolu.

Turqia do të përfaqësohet nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan ndërsa liderët botërorë do të trajtojnë çështjet që kanë të bëjnë me fatin e globit nga lufta Rusi-Ukrainë e deri në krizën klimatike, nga objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm te transformimi dhe infrastruktura digjitale.

Në samit nuk do të marrin pjesë presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin ndërsa do të zhvillohet nën hijen e rivalitetit gjeopolitik midis SHBA-së dhe Kinës dhe tensioneve të vazhdueshme midis Perëndimit dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Samiti do të hedh dritë mbi rolin e Indisë si një fuqi në rritje në skenën politike botërore, e cila e gjen veten në udhëkryqin e këtyre zhvillimeve.

G20 fillimisht u themelua si platformë e ministrave të Financës dhe krerëve të bankave qendrore të 19 shteteve dhe Bashkimi Evropian (BE) në vitin 1999 për të debatuar problemet ndërkombëtare ekonomike dhe financiare. Që nga viti 2008 kur shpërtheu kriza globale financiare merren vendime që udhëzojnë politikën botërore në fusha të ndryshme me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive.

Grupi përbën rreth 60 për qind të popullsisë botërore, 75 për qind të tregtisë globale si dhe 85 për qind të produktit bruto global.

Në Samitin e 18-të të G20, nën organizim të Indisë, temat kryesore do të jenë; problemet në rimëkëmbjen ekonomike globale pas COVID-19 dhe e ardhmja e rritjes, zhvillimi i rritjes së gjelbër kundër krizës klimatike dhe financimi i klimës, rishikimi i progresit të Objektivave të Zhvillimit 2030 të Kombeve të Bashkuara (OKB), transformimi teknologjik dhe infrastruktura digjitale, reforma e institucioneve ndërkombëtare shumëpalëshe në shekullin 21 dhe forcimi i kontributit të grave në zhvillimin socio-ekonomik.

“Një Tokë, një familje, një e ardhme”

India e përcaktoi temën “Një Tokë, një familje, një e ardhme” për temë të samitit gjatë kryesimit të saj me presidencën e G20.

Duke marrë frymëzim nga Maha Upanishad, një nga shkrimet e lashta sanskrite të konsideruara të shenjta në hinduizëm, tema synon të përcjellë sipas fjalëve të kryeministrit Narendra Modi “ndjesinë e unitetit universal”, duke theksuar rëndësinë e gjithë jetës në tokë dhe ndërlidhjen e tyre të ndërsjellë me tokën dhe universin.

Lufta Rusi-Ukrainë

Lufta Rusi-Ukrainë, ashtu si vitin e kaluar në Samitin e G20 të mbajtur në ishullin Bali të Indonezisë, edhe në këtë samit është një nga çështjet që shkakton më shumë mosmarrëveshje.

Presidenti rus Putin, i cili shmang pjesëmarrjen në takime ndërkombëtare dhe vizita të huaja që nga fillimi i luftës, ashtu si vitin e kaluar edhe në këtë samit nuk do të marrë pjesë. Rusia në samit do të përfaqësohet nga kryediplomati Sergey Lavrov.

Fillimisht planifikohej që Putin të dërgojë një video-mesazh në takimin në New Delhi, ndërsa më pas kjo u anulua. Gjithashtu theksohet se nuk ka konsensus për përfshirjen e një deklarate lidhur me luftën Rusi-Ukrainë në deklaratën përfundimtare të samitit. SHBA-ja dhe vendet perëndimore pohojnë se në deklaratë duhet përfshirë “dënimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia” ndërsa përveç Moskës edhe Pekini është kundër kësaj.

Ministrat e Financave dhe guvernatorët e Bankave Qendrore të G20 deklaruan në takimin e tyre në korrik se “vendet nuk mund të arrinin konsensus për shkak të dallimeve të opinioneve për luftën në Ukrainë”.

Parashikohet se edhe India, e cila ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe ka pasur rritje të tregtisë së naftës me Rusinë për shkak të ndryshimit të rrugës së tregtisë së energjisë dhe për shkak të sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Moskës pas luftës, nuk do të insistojë në këtë çështje.

Presidenti kinez nuk do të marrë pjesë në Samit

Gjithashtu edhe presidenti kinez Xi Jinping nuk do të marrë pjesë në Samit ndërsa vendi do të përfaqësohet nga kryeministri Li Qiang.

Mospjesëmarrja e presidentit kinez ndryshe nga Putini, ishte një surprizë. Sepse që kur samitet e liderëve të G20 organizohen rregullisht nga viti 2008, Kina për herë të parë nuk do të përfaqësohet nga kreu i shtetit.

Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe vendi më i madh në zhvillim, i kishte kushtuar rëndësi të veçantë pjesëmarrjes aktive në G20 që nga fillimi. Përderisa zyrtarët kinezë shmangën për të dhënë arsye për këtë, ata deklaruan se e shihnin G20 si “një platformë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomik”.

Megjithatë, përveç bashkëpunimit ekonomik, samitet e G20-ës dëshmojnë takime ku merren vendime kritike që përcaktojnë orientimin politik të periudhës dhe mbahen takime dypalëshe. Kështu që, vitin e kaluar në samitin në Bali presidenti kinez për herë të parë ishte takuar kokë më kokë me presidentin amerikan Joe Biden. Udhëheqësit e dy vendeve, ku tensionet mes tyre ishin në rritje, ranë dakord të “menaxhojnë konkurrencën me përgjegjësi”.

Shmangia e kontaktit të nivelit të lartë me udhëheqësin amerikan në një platformë shumëpalëshe nga ana e Jinping duke mos marrë pjesë në G20 tregon se retë e luftës së ftohtë nuk janë shpërndarë ende mes dy vendeve.

Pranimi i Unionit Afrikan në G20 është në axhendë

Në samitin në New Delhi gjithashtu në axhendë do të jetë pranimi i Unionit Afrikan në G20. Kryeministri i Indisë, Modi në letrën drejtuar vendeve anëtare në qershor, sugjeroi që Unionit Afrikan t’i jepet anëtarësimi i plotë në samitin e liderëve që do të mbahet në vendin e tij.

Modi në artikullin e tij të publikuar në një gazetë të Afrikës së Jugut në fillim të kësaj jave tha se vendi i tij “është mbrojtësi i anëtarësimit të Unionit Afrikan në G20”.

Poashtu edhe presidenti kinez Jinping në fjalimin e tij në samitin e vitit të kaluar, shprehu mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Unionit Afrikan në G20. Nga ana tjetër edhe Rusia, SHBA-ja dhe BE-ja janë dakord me anëtarësimin e Unionit Afrikan në G20.

Kryesuesi i vitit të kaluar me Unionin Afrikan, presidenti i Senegalit, Macky Sall, bëri thirrje që Unionit Afrikan t’i rezervohet një ulëse në G20. India dëshiron të forcojë imazhin e saj si një “urë midis Perëndimit dhe jugut global” duke siguruar pjesëmarrjen e Unionit Afrikan në Samitin e G20.

Pritjet lidhur me ndryshimet klimatike janë të ulëta

Vendet e G20 janë përgjegjëse për 80 për qind të emetimeve globale të gazrave serrë që shkaktojnë ndryshimet klimatike. Megjithatë, hapat që duhet të hidhen në lidhje me klimën përbëjnë një nga çështjet e mosmarrëveshjeve midis vendeve.

Pritjet që vendimet udhërrëfyese të marra në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike të vitit 2022 (COP27) të miratohen nga G20 dhe të shndërrohen në vendime dhe angazhime politike nuk duket se do të realizohen.

Në takimet përgatitore për samitin, bëhet e ditur se nuk është mundur të arrihet konsensus midis vendeve për miratimin e propozimit të Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike që viti 2025 duhet të pranohet si “pikë kulmi” për emetimet e karbonit.

 

 

PEKIN (AA) – EMRE AYTEKİN – Samiti i 18-të i Liderëve të vendeve të G20, që bashkon 20 ekonomitë më të mëdha të botës, do të mbahet më 9-10 shtator në kryeqytetin e Indisë, New Delhi. ( Muhammed Ali Yiğit – Anadolu Agency )

Related posts

Oferta për armëpushim 40-ditor në Gaza, Hamasi po përgatit përgjigjen

admin

Vrasja e 18 vjeçarit, deputetët kërkojnë që t’i kushtohet më shumë vëmendje shëndetit mendor të fëmijëve

admin

Qyteti italian që do të ndalojë akulloret dhe picat pas mesnate, ja çfarë synon të arrihet përmes projektligjit

admin