RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Sanchez e quan bastisjen ndaj flotiljes nga Izraeli shkelje të së drejtës ndërkombëtare, kërkon veprim nga BE-ja

sanchez-e-quan-bastisjen-ndaj-flotiljes-nga-izraeli-shkelje-te-se-drejtes-nderkombetare,-kerkon-veprim-nga-be-ja

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka akuzuar Izraelin se “edhe një herë ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” me ndalimin në ujëra ndërkombëtare të flotiljes së ndihmave që ishte nisur drejt Gazës, transmeton Anadolu.

“Izraeli po shkel sërish të drejtën ndërkombëtare duke sulmuar një flotilje civile në ujëra që nuk i përkasin atij”, tha Sanchez në rrjetin social amerikan X.

Ai tha se qeveria spanjolle po bën “gjithçka të nevojshme” për të mbrojtur dhe ndihmuar shtetasit e saj të ndaluar në këtë incident.

Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme e Spanjës, rreth 30 shtetas spanjollë ishin në mesin e të ndaluarve dhe se rreth 20 prej tyre jetojnë në Katalonjë.

Sanchez tha se nevojiten hapa të mëtejshëm në nivel evropian.

“BE-ja duhet të pezullojë tani marrëveshjen e asociimit dhe të kërkojë që Netanyahu të respektojë ligjin e deteve tona”, theksoi ai.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se forcat detare ndaluan dhe sekuestruan më shumë se 20 anije të Flotiljes Globale Sumud në ujëra ndërkombëtare në Detin Mesdhe dhe ndaluan rreth 175 aktivistë në bord. Sulmi ndodhi pranë ishullit grek të Kretës, qindra milje detare (më shumë se 1.000 kilometra) larg Izraelit.

Flotilja, që transportonte ndihma humanitare, u nis dy javë më parë nga ishulli italian i Sicilisë, me gjithsej 58 anije që synonin të thyenin bllokadën shumëvjeçare të Izraelit ndaj Gazës.

Izraeli ka vendosur një bllokadë mbi Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke e lënë popullsinë prej 2.4 milionë banorësh në prag të urisë.

Ushtria izraelite nisi një ofensivë dyvjeçare në Gaza në tetor të vitit 2023, duke vrarë më shumë se 72 mijë persona, duke plagosur mbi 172 mijë dhe duke shkaktuar një shkatërrim të gjerë në territor.

Related posts

Vuçiq: Serbia pa kontratë gazi me Rusinë, së shpejti fillon furnizimi nga partnerë të tjerë

admin

Finlanda hap poligone të reja qitjeje për të forcuar mbrojtjen kombëtare

admin

Biden bisedon me Zelenskyn, e njofton për ndihmë të re ush’tarake për Ukrainën

Muhamet Ramadani