Lideri opozitar në Serbi, Nikola Sanduloviq, është ankuar se presidenti Aleksandar Vuçiq dhe BIA serbe po abuzojnë me vajzën e tij në aeroport, duke mos e lënë të fluturojë për në Londër.
Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që të reagojnë mbi këtë rast, teksa i ka përfshirë në reagim edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani.
“Sërish Aleksandar Vuçiq së bashku me BIA-n abuzojnë me vajzën time. Policia e mban në aeroport dhe nuk e lejon të fluturojë për në Londër. Deri kur BE-ja dhe SHBA-ja do ta lejojnë këtë”, ka thënë ai të hënën në rrjetin social X.
Vajza e tij. Klara Sanduloviq, ka bërë homazhe në Prekaz ditë më parë, duke shkruar se “Të respektojmë që të mos përsëritet ma”
“Babai im është i vetmi politikan serb që promovon paqen dhe prosperitetin në këtë vend dhe politika e tij bazohet në falje dhe paqe. Vitin e kaluar ai erdhi në këtë vend dhe shprehi ngushëllimet e tij për të gjitha viktimat e pafajshme që u vranë gjatë luftës. Dhe ky ishte një akt shumë paqësor dhe qeveria serbe arriti në përfundimin se ky ishte krim dhe kjo ishte gjuhë e urrejtjes, kështu që vendosa të bëhesha njëjtë kriminel si babai im dhe vendosa të vij këtu dhe të shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha viktimat e paligjshme. Dhe t’ia shprehi brezit tim që ne duhet të ndalojmë urrejtjen dhe duhet të falim njëri-tjetrin dhe gjithashtu duhet të kërkojmë falje dhe që gjëra të tilla që ishin në të kaluarën të mos përsëriten dhe asnjë fëmijë të mos vritet në të ardhmen”, pati thënë ajo pasi kishte vizituar varrezat në Prekaz.
Ndërsa, Sanduloviqi, kryetar i Partisë Republikane Serbe, ishte arrestuar dhe ka pretenduar se është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht se pati bërë homazhe muaj më parë te varret e familjes Jashari.
Në fletarrestimin ndaj tij thuhej se kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare.