RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Sarajevo Safari”: një monstruozitet që po trondit Europën

“sarajevo-safari”:-nje-monstruozitet-qe-po-trondit-europen

Gjuetarë të apasionuar nga Evropa, të cilët nuk kishin më vullnetin për të qëlluar vetëm drerë, kaprollë dhe derra të egër, dyshohet se paguan deri në 100,000 euro për të qëlluar në njerëz, shkruan shtypi gjerman me detaje rreth “turistëve snajperë”.

“Ajo që Ezio Gavazzeni ka mbledhur përmes dëshmive dhe materialeve është rrëqethëse: në vitet 1993 dhe 1994, më shumë se njëqind gjuetarë të huaj dyshohet se paguan midis 80,000 dhe 100,000 euro për të qëlluar njerëz”, shkruan Dominik Straub për gazetën gjermane Tagesspiegel.

Sipas një investigimi nga shkrimtari dhe gazetari italian Gavazzeni, shërbimi serb i sigurisë u ofroi atyre këtë mundësi. “Gjatë rrethimit të Sarajevës, ata organizuan safari të vërteta njerëzore në kodrat përreth kryeqytetit boshnjak. Një detaj veçanërisht i tmerrshëm: nëse viktima ishte një fëmijë, çmimi për ‘të shtënat’ ishte edhe më i lartë”, sipas Tagesspiegel.

“Sipas Gavazzeni-t, të paktën pesë qytetarë italianë ishin midis pjesëmarrësve në safaritë njerëzore. Prokurori Gobbis ende nuk i ka emëruar konkretisht të dyshuarit. Gjatë rrethimit të Sarajevës nga regjimi kriminal i Slobodan Millosheviçit, midis viteve 1992 dhe 1996, u vranë më shumë se 11,000 civilë, rreth 1,000 prej tyre ishin viktima të snajperëve në ‘Rrugicën e snajperëve’ famëkeqe, një bulevard i gjerë në një zonë të pastruar, ku njerëzit ishin të ekspozuar ndaj kërcënimit të vazhdueshëm”, shton Tagesspiegel.

Autori i tekstit vëren se dëshmitari kryesor i Gavazzeni-t është një ish-agjent i inteligjencës boshnjake i quajtur Edin Subasiç. Ai pretendon se në vitin 1993 informoi shërbimin e atëhershëm të inteligjencës ushtarake italiane SISMI për “safaritë” dhe pjesëmarrjen e italianëve.

Dosja përmban gjithashtu letrën e Subasiçit drejtuar Gavazzeni-t, në të cilën ai jep një përshkrim dhe profil psikologjik të snajperëve turistë: “Ata ishin gjuetarë të apasionuar që kishin qenë tashmë në të gjitha llojet e safarive ligjore dhe që kërkonin një dozë shtesë adrenaline në formën e një trofeu njerëzor. Këta janë njerëz që i duan armët dhe janë gjithashtu psikopatë (…). Të gjithë janë të pasur dhe ndoshta njerëz me ndikim (…). Ata kanë paratë dhe ndikimin politik për të mbrojtur veten nga hetimet e mundshme.”

Gavazzeni pretendon se di disa nga emrat e “snajperëve të fundjavës”; njëri prej tyre dyshohet se është pronar i një klinike private. Shumica, shton ai, mbajnë pikëpamje të krahut të djathtë dhe ekstrem të djathtë.

“Hetimi do të tregojë se sa të besueshme janë të gjitha këto deklarata dhe dokumente që Gavazzeni ia dorëzoi prokurorit. Sipas Subasiç, dosjet përkatëse që ekzistojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë klasifikohen si ‘sekrete’ dhe të paarritshme”, përfundon Tagesspiegel.

Artikulli i të njëjtit autor për Austrian Standard, i botuar një ditë më parë, përmend gjithashtu një detaj sipas të cilit ish-oficeri i inteligjencës Edin Subasiç pretendon se në vitin 1993 ai personalisht e informoi shërbimin e atëhershëm të inteligjencës ushtarake italiane SISMI për “safaritë njerëzore” dhe pjesëmarrjen e italianëve në to. Dy deri në tre muaj më vonë, që ishte tashmë në vitin 1994, SISMI thuhet se u përgjigj: “Ne zbuluam se safaritë po niseshin nga Trieste. Ne e parandaluam këtë dhe tani nuk ka më safari.” “Ende nuk dihet nëse ka pasur një letër të tillë nga shërbimi i inteligjencës italiane drejtuar shërbimit të inteligjencës boshnjake, në të cilën agjentët italianë shpjegojnë se ‘safari’ ka mbaruar. Për momentin, e vetmja gjë e sigurt është se historia e turizmit me snajperë në kodrat përreth Sarajevës nuk është e re. Në vitin 1995 – gjatë rrethimit të qytetit – gazeta milaneze Corriere della Sera shkroi për këtë fenomen, nën titullin ‘Pushime në Bosnje, përfshirë të shtënat’”, shkruan Standard.

Gazeta zvicerane Neue Zuercher Zeitung (NZZ) raporton se Gavazzeni i tha gazetës Repubblica se ai është marrë me këtë temë për një kohë të gjatë dhe se është inkurajuar ta hetojë më tej këtë temë dhe të gjejë dëshmitarë nga filmi dokumentar “Sarajevo Safari” i regjisorit slloven Miran Zupaniç, i publikuar në 2022-shin.

Filmi i Zupaniçit shkaktoi reagime të ashpra midis serbëve të Bosnjës – veteranëve të luftës, të cilët pretenduan se dokumentari ishte bazuar në gënjeshtra.

Por Gavazzeni pretendon se ka “prova të shumta” dhe se gjithçka ndodhi vërtet. Kishte shumë prej tyre që qëlluan mbi njerëz – “gjermanë, francezë, anglezë, njerëz nga Perëndimi”, i tha ai The Guardian-it. Ai shton se “alarmoi gjysmën e Evropës” dhe analizoi burime boshnjake dhe italiane, përfshirë ato nga qarqet e inteligjencës. Ai thotë se nuk mori asgjë nga pala serbe: “Serbët e konsiderojnë gjithçka si një legjendë urbane, një trillim”, sipas NZZ.

Gazeta zvicerane shkruan më tej se që në vitin 2007, dolën gjurmë se “safari” të tilla ndodhën në të vërtetë gjatë luftës në Bosnjë. Gjatë gjyqit të kriminelëve të luftës jugosllave në Hagë, një zjarrfikës amerikan, i cili ishte vullnetar në Sarajevë dhe dëshmoi para Tribunalit, foli për snajperët e huaj.

Thuhet se ai ishte i pari që përdori termin “turistë snajperë” dhe foli për metodat monstruoze që u atribuoheshin atyre. Mediat italiane kanë raportuar së fundmi deklaratat e tij, të cilat ai i dha para Tribunalit të Hagës. Sipas procesverbalit të seancës dëgjimore, nga i cili citon gazeta Avvenire, disa nga snajperët zgjodhën objektivat më të prekshëm: fëmijët ose vajzat. “Zoti e di pse,” tha zjarrfikësi sipas procesverbalit. “Kur shënjestron civilët, veçanërisht familjet – qofshin myslimane apo jo – vrasja e një fëmije ka një efekt shkatërrues në të gjithë familjen,” deklaron NZZ.

Deklarat e këtij amerikani mund të jenë vendimtare për vazhdimin e hetimit në Milano. Sipas një artikulli të botuar në gazetën Avvenire, prokuroria tashmë ka kërkuar dorëzimin e dokumenteve të Hagës.

Padia e paraqitur në vitin 2022 në Bosnjë dhe Hercegovinë nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariç, mund të luajë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Ajo gjithashtu iu referua filmit të Zupaniçit. Ndërkohë, Kariç ia ka dërguar dokumentacionin e saj zyrës së prokurorit të Milanos dhe është gati të ndihmojë në hetim. “Le t’i lëmë prokurorët nga Milano dhe Sarajeva të bëjnë punën e tyre,” tha Kariç për Repubblica, raporton Neue Zuercher Zeitung (NZZ).

Related posts

Vrasja e policit në Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve

admin

Kurti: Beogradit t’i bëhet trysni shtesë nga BE dhe SHBA

admin

Mijëra njerëz mblidhen në protestat antiqeveritare në Izrael

RTI