RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Scholz kërkon rezultate konkrete në dialogun Kosovë-Serbi

scholz-kerkon-rezultate-konkrete-ne-dialogun-kosove-serbi

Në ditën kur janë nënshkruar tri marrëveshje që krijojnë lehtësira midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, nikoqiri i Samitit të Berlinit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar rezultate konkrete edhe në procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, me synim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në Berlin se nuk është i gatshëm që të nënshkruajë një marrëveshje e cila do ta cenonte integritetin territorial të Kosovës
Përshpejtim të procesit dhe rezultate konkrete në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka kërkuar të enjten kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.

Krahas nënshkrimit të disa marrëveshjeve midis udhëheqësve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, temë diskutimi në Berlin kanë qenë edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi. E për rëndësinë e marrëveshjes midis dy vendeve ka folur nikoqiri i takimit Scholz, që në hapjen e samitit.

“Koha është që t’i tejkalojmë konfliktet rajonale, që ju mbajnë të përçarë gjatë. Procesi i normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, posaçërisht në mënyrë që të prodhojë rezultate. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin te Gjermania dhe të llogarisin në Procesin e Berlinit”, ka theksuar Scholzi.

Në konferencën e mbajtur për media ai ka përmendur propozimin franko-gjerman duke e theksuar angazhimin për jetësimin e tij.

“Është e vërtetë që konfliktet, të cilat janë trashëguar në Ballkan, duhet që të zgjidhen dhe kjo është e mirë që tash e kemi rastin. Kemi arritur disa hapa dhe kemi debat për Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Shqipërinë dhe kemi bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë proces. Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi një proces, ku të dy qeveritë do të lëvizin përpara dhe do të arrihet një marrëveshje. Kjo kërkon një fuqi të madhe dhe durim për arritjen e një marrëveshjeje”, ka deklaruar kancelari gjerman.

Lidhur me mundësinë e arritjes së marrëveshjes, pas takimit ka folur edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka bërë të ditur se dialogut i nevojitet një kornizë që u jep zgjidhje të gjitha problemeve.

“Besoj se kjo është shumë e rëndësishme, por për një marrëveshje Kosovë-Serbi nuk na duhen zgjidhje super të veçanta të problemeve, por na nevojitet një marrëveshje me kornizë të përgjithshme që bazohet në vlera evropiane. Kjo është edhe e drejtë dhe e mirë për të gjithë, por edhe e dobishme për Kosovën. Qeveria nuk do të bëjë asnjë marrëveshje që i cenon integritetin territorial, sovranitetin, pavarësinë dhe që i cenon kushtetutshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjit në vendin tonë”, ka thënë Kurti në një deklaratë për media, pas takimit. “Ne duam dialog parimor e simetrik, të bazuar mbi vlera evropiane dhe natyrisht që ndoshta të tjerëve iu duhen strategjitë se si të mbërrihet tek ajo që për neve është e pashmangshme, përveçse e domosdoshme dhe kjo është njohja reciproke në qendër”.

Propozimi franko-gjerman mbështetet edhe nga Komisioni Evropian

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se trupi që ajo e drejton është në mbështetje të propozimit të bërë nga Franca dhe Gjermania.

“Nga Komisioni Evropian propozimi franko-gjerman ka përkrahje të plotë. Integrimi i tij në dialog është i nevojshëm. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të ecin para në këtë, pasi që është ura që po ndërtohet për të zgjidhur një problem që mund të zgjidhet”, ka theksuar Von der Leyeni.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka deklaruar se plani franko-gjerman përbën një mundësi të madhe jo vetëm për Serbinë e Kosovën, por edhe për rajonin dhe Evropën në tërësi.

“Shpresoj që të dyja palët ta marrin seriozisht (planin franko-gjerman) dhe të dyja palët të kuptojnë se është koha që të shohin se është kontribut i rëndësishëm për të gjithë arkitekturën evropiane të sigurisë”, ka potencuar Rama.

Pjesëmarrës në samit kanë qenë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Sipas komunikatës së lëshuar nga Qeveria e Kosovës, tema qendrore të takimit ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve, me njohjen reciproke në qendër, sikurse edhe vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje të tjera aktuale.

Dokumentet e nënshkruara

Dokumentet që janë nënshkruar të enjten nga udhëheqës të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë ai për marrëveshjen mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, për marrëveshjen mbi njohjen e diplomave të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, si dhe ajo për marrëveshjen e njohjes së kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore.

Kancelari Scholz ka theksuar me këtë rast se BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

“Gjatë vitit tim të parë si kancelar i Gjermanisë kam pasur mundësinë që të flisja me shumë nga ju për sfidat e rënda që e ballafaqojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto sfida janë të përbashkëta, sepse stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të ndahen nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës, si tërësi. Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Ju gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkisni Evropës së lirë dhe anëtarësimi i juaj në BE është në interesin tonë”, ka theksuar ai.

Sipas komunikatës së Qeverisë, marrëveshjet janë nënshkruar bazuar në rregullat e BE-së. Deri më tani finalizimi i këtyre dokumenteve pati mbetur peng i terminologjisë së përdorur. Kjo pasi që Serbia insistonte që referencë të jenë edhe marrëveshjet e Brukselit, duke e vendosur Kosovën në pozicion të pabarabartë me shtetet e tjera. Me gjithë interesimin e KOHËS, në Qeveri nuk kanë ofruar sqarime se si janë tejkaluar këto probleme.

Nëpërmjet marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin lirshëm, duke përdorur vetëm letërnjoftimin e njërës nga shtetet, sipas legjislacionit në fuqi. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, qytetarët e Kosovës dhe ata të Bosnjë-Hercegovinës do të mund të lëvizin vetëm me letërnjoftime, pa pasur nevojë që të pajisen me viza.

Ndërkaq me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas. Derisa tash pagesat për njohjen e këtyre dokumenteve kanë qenë prej 200 deri 500 euro.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë.

Marrëveshjet do të hyjnë në fuqi pasi që të kalojnë procedurën e ratifikimit në parlamentet e gjashtë vendeve të rajonit dhe kjo është planifikuar që të bëhet brenda vitit 2023. Samitin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit do ta organizojë Shqipëria.

Osmani: Marrëveshjet e arritura në Berlin e forcojnë bashkëpunimin rajonal

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshjet e arritura të enjten në kuadër të Procesit të Berlinit do të kontribuojnë në bashkëpunimin rajonal dhe në përafrimin me Bashkimin Evropian.

“Presidentja Osmani ka potencuar se marrëveshjet për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u afruar edhe më shumë me vlerat dhe praktikat evropiane të bashkëpunimit”, është shkruar në komunikatën e Presidencës. Ajo ka falënderuar kancelarin federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, si dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se “Kosova do të vazhdojë që të mbetet palë plotësisht e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e barabarësisë”.

Rama bën thirrje për heqjen e vizave për Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët, të mbajtur të enjten në Berlin bashkë me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë.

“Është pak e çuditshme për popullin e Kosovës që derisa po bëhet një hap për lëvizje të lirë, ata ende nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë sikurse rajoni. Me të vërtetë shpresoj që të zgjidhet kjo”, ka thënë Rama.

Related posts

EMRAT/ Shpërthimi me eksploziv në Athinë, vihen në pranga 4 shqiptarë. Dyshohet se janë pjesë e grupeve kriminale

admin

Spanja ofron kontribut vullnetar për GJND në hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gaza

rezart morina

Nuk ka interesim të minoriteteve për konkursin në Policinë e Kosovës

admin