Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se lidhja e personave të akuzuar për tentim për grusht shteti në vend me Partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) është e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Është e qartë se diçka po ndodh këtu. Ajo që duhet thënë këtu është se në mesin e të akuzuarve është një ish-deputet i AfD-së i Bundestagut gjerman. Sigurisht, ky është një incident shumë i jashtëzakonshëm dhe shumë i keq”, tha Scholz në një konferencë për media.
Duke iu referuar funksionimit të shtetit dhe demokracisë gjermane, Scholz tha: “Rezultati tjetër më i rëndësishëm është se të gjithë e dinë se ne kemi një shtet të mbrojtur, një demokraci të mbrojtur që mund të parandalojë shkelje të tilla të ligjit dhe plane të tilla (grusht shteti) me autoritetet e sigurisë dhe ta refuzojë atë me të gjitha forcat”.
Bashkëkryetari i Partisë Socialdemokrate, Lars Klingbeil dha deklaratë për mediat gjermane lidhur me këtë çështje dhe kërkoi që partia e ekstremit të djathtë AfD të ndëshkohet.
Ai e cilësoi AfD-në si një parti antikushtetuese. “AfD duhet të jetë në listën e vëzhgimit të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, jo në parlamente, gjykata apo shërbime publike”, tha Klingbeil.
Klingbeil theksoi se goditja ndaj grupit të quajtur Qytetarët e Perandorisë (Reichsbürger), i cili planifikoi grushtin e shtetit, tregon edhe një herë lidhjen e ngushtë me AfD-në.