Policia e Kosovës ka njoftuar se në Viti ka arrestuar dy të dyshuar për posedim të substancave narkotike.
Ata janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit dhe ndër të tjera u janë sekuestruar 82 qese me substancë narkotike që thuhet se dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
Ata janë arrestuar pasi që janë ndaluar në një pikë kontrolli në rrugën “Dëshmorët e kombit” në Viti.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, stacioni policor Viti me datën 31.08.2023 rreth orës 03:15 në kuadër të zbatimit të planit operacional ‘Goditja 2023’ në pikë të kontrollit në rrugën ‘Dëshmorët e kombit’ në qytetin e Vitisë ka ndalur një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy të dyshuar meshkuj, kosovar shqiptar J.I. (viti i lindjes 2004) dhe N.M. (viti i lindjes 2003) për kontrolle rutinore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në njoftim thuhet se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale për gjykatë: 82 qese substancë narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë, 1 peshore digjitale, 1 pako me letra mbështjellëse ‘Rizlla’, 205 euro para të gatshme dhe disa para të metalta si dhe 3 telefona celularë.
Për rastin thuhet se janë njoftuar njësitet antidrogë të cilët do të merren me hetimin e këtij rasti.