Selia e Komisionit Evropian në Bruksel ka fikur sistemin e kondicionimit të ajrit në katet e poshtme, teksa vala ekstreme e të nxehtit përfshiu Belgjikën, por zyrat e shefes së Komisionit dhe shumicës së komisarëve mbetën të paprekura nga kjo lëvizje, transmeton Anadolu.
Politico raportoi se ndërtesa 13-katëshe Berlaymont strehon presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, 26 komisarë të BE-së dhe rreth 3.000 punonjës. Zyra e von der Leyen në katin e 13-të nuk u prek nga ndërprerja dhe shumica e zyrave të komisarëve në katet e sipërme të ndërtesës vazhduan të kishin kondicioner.
Punonjësit në katet e poshtme morën një mesazh urgjent rreth mesditës që i njoftonte se sistemi i ftohjes në katet 1 deri në 7 do të fiket për pjesën e mbetur të ditës për shkak të motit ekstrem.
Më herët gjatë javës, Komisioni Evropian u kishte rekomanduar stafit të shmangte daljet gjatë orëve më të nxehta, të pinte ujë rregullisht dhe të fillonte punën më herët për të reduktuar ekspozimin ndaj nxehtësisë ekstreme.
Ky vendim shkaktoi kritika nga punonjësit e kateve të poshtëm.
“Është si feudalizëm”, tha një zyrtar për Politico, duke iu referuar faktit që katet e sipërme të zëna nga komisarët dhe ekzekutivi i BE-së mbetën me kondicioner.
Një tjetër zyrtar e quajti situatën “skandaloze”.
Edhe në katet e ftohura, temperaturat mbetën të larta, me një punonjës që raportoi 25.7 gradë Celsius brenda ambienteve.
Vala e të nxehtit ka rihapur debatin mbi përdorimin e kufizuar të kondicionerëve në Evropë.

